Kritika ndaj studimit për korrupsionin në universitete

Reagim për shkrimin: Korrupsioni në universitete: Studentët paguajnë për nota dhe përballen me materiale plagjiaturë

I Nderuar Botues,

Kam lexuar me vëmendje studimin e publikuar nga “Qëndresa Qytetare”, i cili ka marrë një jehonë të gjerë në median vizive dhe të shkruar. Nuk mund të mohoj që shqetësimet e ngritura janë të vlefshme. Në një vend ku korrupsioni lulëzon në të gjitha format e tij, nuk është e mundur që universitetet të mbeten të paprekura. Kjo vlen për të gjitha universitetet në vend, si ato publike ashtu edhe ato private.

Megjithatë, mendoj se vetë ky “studim” mund të jetë pjesë e këtij korrupsioni. Ai fokusohet vetëm në 6 universitete publike, duke lënë në harresë pjesën tjetër: 24 universitete private dhe 10 universitete publike të tjera, të cilat janë aktualisht aktive në vend. Ky qasje është thellësisht e njëanshme dhe klienteliste. Ajo dëmton imazhin e këtyre institucioneve dhe largon studentët drejt institucioneve të tjera, veçanërisht atyre private, të cilat sipas studimeve të “Qëndresës” duket se nuk kanë asnjë problem. Duhet të mendohet për ndikimin që ka një “studim” i tillë mbi të gjithë studentët që kanë zgjedhur të studiojnë në këto universitete.

Për më tepër, një pjesë e konsiderueshme e stafit akademik të këtyre universiteteve, të cilat cilësohen si “korruptuara”, japin mësim edhe në të gjitha universitetet e tjera “shembullore”, të cilat “Qëndresa” nuk i ka përmendur kurrë në historinë e saj.

Vetë pyetjet e shtruara në studim janë gjithashtu klienteliste dhe favorizojnë qëllimin e përmendur më sipër. Pyetjet janë formuluar në mënyrë që përgjigja të jetë e qartë që në fillim. Ato nuk janë aspak profesionale, por kanë për qëllim të krijojnë zhurmë, të nxisin paragjykime dhe të zhvlerësojnë, në mënyrë indirekte, diplomat e lëshuara ose të lëshuara nga këto institucione të vendosura në shënjestër.

Mendoj se edhe vetë hartuesit e pyetësorit nga “Qëndresa” bëjnë një autogol nëse posedojnë një diplomë nga këto universitete.

Me këtë rast, dua t’i ftoj “Qëndresën” dhe të gjithë ndjekësit e saj që të kenë më shumë kujdes me “durbinë” që përdorin ndaj shqetësimeve në vend. Kjo nuk bëhet kurrë me anë të propagandës klienteliste, zhurmës me zëra paragjykues, në favor të konkurrencës mes universiteteve.

Për shkollën e lartë dhe arsimin në përgjithësi, nevojitet shumë vizion dhe një politikë-bërje e shëndetshme. “Qëndresa”, nëse ka guxim, duhet të përqendrohet drejt:

  • Politikë-bërjes, qeverisë dhe ministrisë përgjegjëse për arsimin.
  • Reformës ligjore dhe akteve të tjera.
  • Sistemit publik-privat.
  • Cilësisë joformale të akreditimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë (IAL) dhe programeve përkatëse.
  • Zbutjes së frymës student-klient.
  • Kostos reale të shkollimit në IAL dhe tarifave përkatëse.
  • Rekrutimit të paanshëm dhe motivimit më të mirë të personelit mësimor-shkencor.
  • Shpërndarjes së drejtë të kuotave sipas programeve me përparësi dhe jo sipas kërkesave joshëse të IAL-ve.
  • Reformës zgjedhore në IAL-të publike, etj.

Me respekt,
Prof. Aleko Miho,
Departamenti i Biologjisë, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës.

Scroll to Top