Kleringu kërcënon sektorin e ndërtimit: Mijëra apartamente të pashitura për shkak të çmimeve stratosferike
Kleringu po sjell krizë ekonomike në sektorin e ndërtimit. Kantierët e ndërtimit nuk janë më një mundësi e mirë ekonomike për prodhuesit e tullave. Fabrikat po i ndezin furrat e tyre, jo për të fituar para, por për prona.
Viktor Nikollaj, administrator i një fabrike tullash në Fushë-Krujë, shprehet se kjo formë e re tregtie po e dërgon drejt falimentimit. Sipas tij, shpirti i biznesit është qarkullimi i parasë.
“Problemi më i madh që kemi është likuiditeti, kleringu po na shkatërron. Jemi të detyruar të shesim me klering sepse kështu punojnë konkurrentët tanë. Është për të ardhur habi se si po kthehemi në kohën e shkëmbimit mall me mall”, thotë Viktor Nikolli.
Kleringu duket fitimprurës për ndërtuesit, por jo për prodhuesit e materialeve të ndërtimit.
“Sot ka ndërtues që nuk ka nevojë të shesë sepse të gjitha kostot që ka i shpërndan nëpërmjet kleringut dhe ka mundësinë të presë një moment të dytë për të shitur pronën me një çmim më të lartë”, shprehet Ervin Demirxhiu, vlerësues pasurive të paluajtshme.
Kjo marrëdhënie biznesi ndikoi që Viktori të marrë një vendim ekstrem për fabrikën e tij:
“Më datën 20 dhjetor fabrika u fik, jemi të bllokuar për pagesat. Për të mbajtur fabrikën në punë nevojiten minimalisht 400 milionë lekë të vjetra për pagesat”, shprehet Nikolli.
Çmimet e larta, të diktuara nga ndërtuesit, kanë lënë stok apartamentet që Viktori ka përfituar nga kleringu.
“Sot që flasim kam 40 banesa në treg që nuk i shes dot, sepse tregu është bllokuar dhe çmimet janë tepër të larta”, shton ai.
Ndërkohë që pallatet shtohen, shitjet kanë ecur në të njëjtin ritëm si një vit më parë.
“Është e vërtetë që ka pasur një ndalim për pronat e rishitura dhe këtu ndikon procesi i rivlerësimit”, thotë Demirxhiu.
Sipas Bankës së Shqipërisë, koha mesatare për të shitur një apartament është rritur në 11.1 muaj, duke ia vështirësuar pronarëve nxjerrjen në treg të një banese./ tch
