Kryebashkiaku i Rrogozhinës ankimon dënimin me 1 vit burg

Kryebashkiaku i Rrogozhinës, Edison Memolla, ka ankimuar vendimin e Gjykatës së Posaçme, e cila e ka dënuar me 1 vit burg për akuzën e korrupsionit zgjedhor. Ky ankimim është dorëzuar nga avokati i tij në Gjykatën e Posaçme të Apelit të GJKKO-së, përmes postës elektronike.

Vendimi i shkallës së parë u mor më 24 janar 2024, pas hetimeve të nisura pas publikimit të një audio-përgjimi. Në këtë përgjim, Memolla, në atë kohë kandidat për kryetar bashkie, dyshohet se ka ndikuar tek një punonjës i OSHEE-së për të mos ndërprerë furnizimin me energji elektrike për një abonent debitor. Prokuroria ka pretenduar se ky veprim synonte që shtetasi në fjalë të votonte në favor të Memollës në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit 2022.

Përveç dënimit me burg, Gjykata e Shkallës së parë ka vendosur edhe ndalimin e ushtrimit të çdo funksioni publik për 5 vitet e ardhshme. Aktualisht, në Gjykatën e Apelit të GJKKO-së pritet të caktohet data për shqyrtimin e ankimit. Nëse vendimi i shkallës së parë mbetet në fuqi, Memolla do të duhet të largohet nga posti i kryebashkiakut.

Leave a Comment

Scroll to Top