Kushtetuesja shtyn vendimin për çështjen “Balluku” – 10 ditë vonesë

Kushtetuesja shtyn me 10 ditë shqyrtimin e çështjes “Balluku”

Gjykata informon se shqyrtimi paraprak i çështjes nga Mbledhja e Gjyqtarëve do të bëhet në datën 12.12.2025. Ky shtynim vjen për shkak të kompleksitetit të çështjes, volumit të materialeve shoqëruese, agjendës së Gjykatës, si dhe mbështetur në kërkesën e disa prej anëtarëve të saj.

Çështja kaloi në Mbledhjen e Gjyqtarëve të martën, pasi Kolegji i Gjykatës Kushtetuese nuk arriti të merrte një vendim unanim për pranimin ose rrëzimin e padisë së paraqitur nga kryeministri Edi Rama.

Më 12 dhjetor, gjykata do të vendosë për ligjshmërinë e kërkesës me katër pika të Ramës. Gjithashtu, do të shprehet për një nga pikat, e cila kërkon pezullimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme (GJKKO) për heqjen e Ballukut nga detyrat ekzekutive, deri në shqyrtimin në themel të çështjes.

Ndërkohë, Kryeministri vijon ankesat publike ndaj vendimit të gjykatës për pezullimin e Ballukut nga detyra. Ajo, në rolin e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, akuzohet se ka ndërhyrë dhe vendosur në mënyrë të paligjshme për dy tendera me vlerë 210 milionë euro.

Të mërkurën, Rama e quajti këtë vendim si “absurd” dhe me “pasoja që cënojnë konkretisht funksionimin e qeverisë dhe interesin publik”. Për të justifikuar këto ‘pasoja’, ai solli si shembull mbetjen pa firmosur, për shkak të pezullimit të ministres, të një marrëveshjeje me Kanadanë për nisjen e fluturimeve direkte.

Përveç ‘rikthimit’ në detyrë të Ballukut, Rama i ka kërkuar Kushtetueses që të zgjidhë mosmarrëveshjen e kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave dhe Gjykatës së Posaçme, lidhur me pezullimin nga ushtrimi i detyrës së një ministri.

Prej momentit të dorëzimit të kërkesës, ai ka shtuar presionet publike ndaj gjykatës për një vendimmarrje në favor të kërkesës së tij, duke e konsideruar pezullimin e bashkëpunëtores së tij të ngushtë “si precedent unikal dhe të rrezikshëm”.

Gjykata e Posaçme vendosi që ta pezullonte zv.kryeministren nga detyra dhe të ndalonte udhëtimin jashtë vendit, duke i bllokuar pasaportën. Kjo erdhi pasi ajo u mor e pandehur për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera. Ajo akuzohet se ka manipuluar dy tendera me vlerë 210 milionë euro, së bashku me vartësit e saj më të ngushtë, Evis Berberi, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, duke favorizuar kompanitë fituese.

Scroll to Top