Kuvendi miratoi projektligjet e Paketës Fiskale 2026
Pas zhvillimit të dy interpelancave, Kuvendi i Shqipërisë miratoi Paketën Fiskale, e cila përbëhet nga tetë projektligje. Këto projektligje shkaktuan debate mes mazhorancës dhe opozitës, por shumica qeverisëse arriti të miratojë ndryshimet kryesore tatimore. Mes tyre përfshihen marrëveshja e paqes fiskale, fshirja e plotë e detyrimeve të papaguara në tatime dhe dogana deri në vitin 2014, rivlerësimi i pasurive të paluajtshme, ndryshimet në ligjin për procedurat tatimore për të reduktuar përdorimin e parasë cash, si dhe ndryshimet në ligjin për TVSH-në për zbatimin e kompensimit 10% për fermerët.
Sipas njoftimeve zyrtare të Kuvendit, projektligjet e miratuara janë si më poshtë:
- Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë””, i ndryshuar, u miratua me 81 vota PRO, 3 KUNDËR, 0 ABSTENIM.
- Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 92/2014 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë””, u miratua me 80 vota PRO, 25 KUNDËR, 0 ABSTENIM.
- Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 29, datë 30.3.2023, “Për tatimin mbi të ardhurat””, u miratua me 84 vota PRO, 26 KUNDËR, 0 ABSTENIM.
- Projektligji “Për disa shtesa në ligjin nr. 9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore””, i ndryshuar, u miratua me 81 vota PRO, 18 KUNDËR, 0 ABSTENIM.
- Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 87/2019 “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit””, i ndryshuar, u miratua me 81 vota PRO, 27 KUNDËR, 0 ABSTENIM.
- Projektligji “Për marrëveshjen e paqes fiskale”, u miratua me 75 vota PRO, 20 KUNDËR, 0 ABSTENIM.
- Projektligji “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”, u miratua me 76 vota PRO, 22 KUNDËR, 0 ABSTENIM.
- Projektligji “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e të detyrimeve të pagueshme në doganë”, u miratua me 73 vota PRO, 14 KUNDËR, 0 ABSTENIM.
Lidhur me projektligjin “Për buxhetin e vitit 2026”, kryetarja e Komisionit të Ekonomisë, znj. Milva Ekonomi, njoftoi se janë pranuar kërkesat e shtatë komisioneve për të shtuar shpenzimet për disa institucione, me vlerë 504.9 milionë lekë. Këto shpenzime do të mbulohen brenda kuadrit të parashikuar në buxhet. Ndërsa, në lidhje me 50 amendimet e propozuara nga opozita, znj. Ekonomi theksoi se ato cenonin parametrat fiskale duke rritur shpenzimet me 278.9 miliardë lekë. Ky projektligj u miratua me 81 vota PRO, 16 KUNDËR, 0 ABSTENIM.
