Gjykata lë në burg Lefter Kokën, kërkoi lirinë për shkak të afateve të paraburgimit
Apeli i GJKKO-së ka rrëzuar këtë të mërkurë kërkesën e ish-ministrit Lefter Koka për të shfuqizuar masën e sigurisë “arrest me burg”. Seanca u zhvillua me trup gjykues, i cili u drejtua nga gjyqtarja Miliana Muça. Apeli vendosi të miratojë vendimin e shkallës së parë, duke lënë të pandryshuar masën e sigurisë ndaj të pandehurit.
Njoftimi i Gjykatës:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Miliana Muça, sot më 26.11.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 270 akti, datë 17.11.2025 regjistrimi. Ky vendim është marrë mbi ankimin e të pandehurit L.K., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 656 akti, datë 24.10.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Për konstatimin e humbjes së fuqisë së paraburgimit”.
Gjykata vendosi:
- Miratimin e vendimit nr. 656, datë 24.10.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar.
Vendimi u shpall në Tiranë, sot më datë 26.11.2025.
