Lezhë: Dy raste helmimi, mjekët shpëtojnë të rinj

Brenda pak orëve në Lezhë, dy raste helmimi, mjekët shpëtojnë një të riun dhe një të mitur.

Dy raste helmimi janë regjistruar në Lezhë brenda pak orëve. Mjekët, pas përpjekjeve dhe ndërhyrjes me terapi dhe lavazh stomaku, kanë arritur t’i shpëtojnë pacientët.

Rastet përfshijnë një 25-vjeçar, i cili dyshohet se ka tentuar vetëhelmim në gjendje depresioni, dhe një 17-vjeçare, e cila dyshohet se ka pirë aksidentalisht detergjent. Hetimet janë ende në vijim për të zbardhur dinamikën dhe shkaqet e këtyre ngjarjeve. Nuk ka ende informacion nëse rastet kanë ndonjë lidhje mes tyre.

Policia lokale për rastin e parë njoftoi: “Është transportuar në spital për ndihmë mjekësore shtetasi G. P., 25 vjeç, i cili dyshohet se ka konsumuar lëndë helmuese. Ai ndodhet në kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën”.

Lidhur me rastin e dytë, u bë me dije se edhe e mitura është shpëtuar: “Një 17-vjeçare është dërguar në spital për ndihmë mjekësore, e cila dyshohet se në banesën e saj ka konsumuar aksidentalisht sasi detergjenti. Shtetasja është në kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën”, sqaroi policia.

Hetimet për të dyja rastet, për të cilat mendohet se nuk kanë lidhje mes tyre, po vijojnë pranë Prokurorisë vendore.

Scroll to Top