Hotelet në Shkurt: Italianët kryesojnë me 30%, ndërsa Kosova mbetet në pritje
Gjatë muajit shkurt, strukturat akomoduese në vend patën një numër të konsiderueshëm vizitorësh italianë, duke përbërë 30% të totalit. Megjithatë, statistikat tregojnë se Kosova, pavarësisht se zë peshën më të madhe të hyrjeve nga shtetasit e huaj, me rreth 42%, në strukturat akomoduese përfaqësohet vetëm me 15% të tyre.
Të dhënat e publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT) zbulojnë se, përveç italianëve dhe kosovarëve, grupet e tjera të vizitorëve përfshijnë shtetas nga Mbretëria e Bashkuar, Gjermania dhe Franca.
Sipas publikimit të INSTAT:
- Në Shkurt 2026, numri i vizitorëve të akomoduar në strukturat turistike u rrit me 9,7% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
- Vizitorët rezidentë u rritën me 10,6%, ndërsa vizitorët jo-rezidentë me 9,1%.
- Net-qëndrimet gjithsej u rritën me 3,6%.
- Shumica e vizitorëve të huaj që u akomoduan në Shqipëri janë nga:
- Italia (30%)
- Kosova (15%)
- Mbretëria e Bashkuar (7%)
- Gjermania (5%)
- Franca (4%)
- Vende të tjera (39%)
- Norma e shfrytëzimit të dhomave në hotele arriti 16,7%, nga 16,0% në Shkurt 2025.
Në lidhje me hyrjet në vend, të dhënat sipas shteteve tregojnë se shqiptarët nga Kosova, që përbëjnë 41.4% të totalit të vizitorëve, shënuan një rritje prej rreth 2.5% në dy muajt e parë të vitit, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërkohë, italianët vijojnë të jenë grupi me rritjen më të lartë, duke qenë grupi i dytë më i madh në turizmin në vend, me një rritje prej 11.7% për tremujorin e parë të vitit 2026. Ata aktualisht përbëjnë 13.2% të totalit të vizitorëve.
