Liderët Botërorë Kundër Dhunës në Uashington

Liderët Botërorë Bashkohen Pas Sulmit në Uashington, Dënojnë Dhunën në Demokraci

Pas sulmit me armë që ndodhi në Uashington, liderët botërorë kanë lënë mënjanë dallimet e tyre, përfshirë edhe ato të mëparshme me presidentin Donald Trump, dhe kanë reaguar njëzëri. Ata kanë dënuar ngjarjen dhe kanë shprehur solidaritet me presidentin Trump dhe autoritetet amerikane, duke theksuar se dhuna nuk ka vend në një shoqëri demokratike.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi se ai dhe bashkëshortja e tij Sara janë “të tronditur” nga sulmi, por të lehtësuar që presidenti dhe Zonja e Parë janë të sigurt. Ai gjithashtu uroi shërim të shpejtë për oficerin e plagosur dhe përgëzoi reagimin e shërbimeve të sigurisë amerikane.

Presidenti i Koresë së Jugut, Lee Jae-myung, e quajti ngjarjen “thellësisht tronditëse”, duke vënë në dukje se dhuna politike përbën një kërcënim serioz për demokracinë dhe nuk mund të justifikohet.

Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, u shpreh i lehtësuar që presidenti amerikan dhe zyrtarët e tjerë janë të sigurt. Ai nënvizoi se “dhuna nuk ka vend në një demokraci dhe duhet dënuar pa asnjë ekuivok”.

Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, gjithashtu deklaroi se “dhuna politike nuk ka vend në asnjë demokraci” dhe shprehu mbështetje për të gjithë ata që janë prekur nga incidenti.

Nga Europa, kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, theksoi se “asnjë urrejtje politike nuk mund të gjejë vend në demokracitë tona”. Ajo paralajmëroi kundër ekstremizmit dhe fanatizmit, të cilat, sipas saj, rrezikojnë hapësirën e debatit të lirë.

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, dënoi sulmin dhe tha se “dhuna nuk është kurrë rruga e duhur”, duke theksuar rëndësinë e demokracisë, bashkëjetesës dhe paqes.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, e cilësoi ngjarjen si “të papranueshme” dhe shprehu mbështetjen e tij të plotë për presidentin amerikan Donald Trump.

Scroll to Top