“`html
Portet Turistike: Si Po Godasin Konkurrencën Ligjet “Me Porosi” të Qeverisë
Kuvendi miratoi të enjten, me 76 vota të mazhorancës socialiste, një nismë ligjore të mbështetur nga qeveria. Kjo nismë parashikon dhënien pa garë të koncesioneve për porte turistike në favor të kompanive që kanë përfituar statusin e investitorit strategjik.
Ndryshimi i ligjit u prezantua me qëllimin e vetëm për të përmbushur një kërkesë të mbërritur në qeveri nga kompania përfaqësuar nga dhëndri i presidentit amerikan, Jared Kushner, për investimin e planifikuar në ishullin e Sazanit.
Deputetja nismëtare e PS-së, Zamira Sinaj, mori si shembull Sazanin për të justifikuar modifikimin e ligjit për “Portet Turistike”, duke pretenduar se kjo do t’u shërbente të gjithë investitorëve strategjikë që kishin parashikuar në projektet e tyre edhe ndërtimin e një porti.
Opozita e kundërshtoi nismën, duke e quajtur “një ligj me porosi” për të favorizuar 2-3 biznesmenë në përdorimin e pronës publike. Kjo praktikë, sipas opozitës, bie ndesh me procesin e integrimit europian.
Deputetja Jorida Tabaku deklaroi se e kishte denoncuar nismën në Komisionin Europian si një ndërhyrje që “bie ndesh me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe cënon disa kapituj kyçë të legjislacionit europian”.
“Ligji për portet turistike është një tjetër ligj me porosi, një ndër dhjetëra të tillë që kanë kaluar në Kuvend, duke mbrojtur interesa të veçanta dhe jo interesin publik,” u shpreh Tabaku, duke e konsideruar këtë si pjesë të një praktike të përsëritur të qeverisë Rama.
Tabaku i tha BIRN se ky ishte një nga dhjetëra ligjet klienteliste të mazhorancës socialiste, me ndikim në prishjen e konkurrencës dhe keqpërdorimin e pronës publike. Sipas grupimeve të deputetes, këto nisma ligjore kanë ngritur mekanizma për të favorizuar grupime të vogla individësh apo kompanish të afërta me qeverinë.
Mes ndërhyrjeve të miratuara gjatë dekadës së fundit, Tabaku përmendi ligjin për investimet strategjike, ngritjen e Korporatës së Investimeve Shqiptare, ligjet speciale për portin e Jahteve në Durrës apo Teatrin Kombëtar (i cili u rrëzua më pas nga Gjykata Kushtetuese), si dhe ligjet për lojërat e fatit, zonat e mbrojtura apo parqet teknologjike (TEDA).
“Pasojat në ekonomi janë të jashtëzakonshme dhe po ndihen në pjesën më të madhe të sektorëve,” tha Tabaku për BIRN.
Ligjet “e porositura” konsiderohen si një nga format më të dukshme të kapjes së shtetit, përmes së cilave vendimmarrja publike diktohet nga interesat private të një numri të vogël njerëzish.
Sipas ekspertit të ekonomisë, Zef Preçi, ligji që parashikon dhënien pa garë të porteve turistike në favor të investitorëve strategjikë është një tjetër shembull i kapjes së shtetit në favor të klientëve të qeverisë.
“Përmes këtij amendimi, me një procedurë të dyshimtë ligjore, buxhetit iu hoqën disa milionë euro që mund të sillte gara e parashikuar në legjislacionin vendas, ndërsa bëhet e qartë fuqia ndikuese e parasë së grumbulluar në pak duar mbi vendimmarrjen qeveritare dhe ligjbërjen shtetërore,” tha Preçi për BIRN.
Preçi thekson gjithashtu se ndërhyrja në një ligj të përhershëm në favor të një ligji të përkohshëm është në kundërshtim me teknikën legjislative.
“Përfituesit janë klientët e vjetër dhe të rinj të qeverisë,” tha ai, ndërsa shtoi se qytetari vazhdon të mbetet i humbur, duke parë se një pjesë e rëndësishme e pasurive të vendit po kalon në duart e kapitalit vendas apo “miqve të huaj të kryeministrit”.
Edhe Neritan Sejamini, analist i politikës, thekson se këto praktika të dhënies së pronave publike me ligje favorizuese po dëmtojnë ekonominë dhe konkurrencën e lirë.
“Nuk ka asgjë strategjike në investimet e ashtuquajtura strategjike që mbështet qeveria,” tha Sejamini. “Investitorët strategjikë janë klientët e zakonshëm të qeverisë, janë të gjithë shqiptarë, janë të njëjtët që marrin kontrata publike në fusha të tjera, marrin leje ndërtimi dhe përfitojnë monopole e koncesione nga qeveria,” shtoi ai.
Seajmini vlerëson se investimet e tyre nuk kanë asnjë rëndësi strategjike, pasi të gjitha janë në sektorë me pak vlerë të shtuar në ekonomi. Përkundrazi, sipas tij, nuk vihen re investime në prodhim, infrastrukturë, energji, industri prodhuese të përparuara apo infrastrukturë digjitale të rëndësishme.
Seajmini e përkufizon modelin e investimeve strategjike si një mënyrë për të privatizuar prona shtetërore dhe për t’u dhënë favore “klientëve qeveritarë”.
“Ajo që është më skandaloze është që shpesh privilegjet që qeveria u ofron këtyre janë më të mëdha se vetë investimet,” theksoi ai.
Zef Preçi thekson se ligjet me porosi deformojnë vendimmarrjen publike dhe e vënë atë në shërbim të interesave të ngushta private.
“Nga ana tjetër, pakësojnë të ardhurat e buxhetit të shtetit dhe krijojnë premisa për deformim të tregjeve për mallra apo shërbime të njëjta që ofrojnë operatorët ekonomikë përfitues,” përfundoi ai.
“`
