Ligji i ri BSH: Auditimi i brendshëm zëvendëson Inspektorin e Përgjithshëm

Ligji i ri i BSH eliminon Inspektorin e Përgjithshëm, Auditi propozohet nga Guvernatori

Ligji i ri për Bankën e Shqipërisë (BSH) pritet të eleminojë funksionin e Inspektorit të Përgjithshëm, të cilit aktualisht i zgjidhet nga Parlamenti. Sipas projektligjit të ri, kontrolli i brendshëm në BSH do të kryhet nga Departamenti i Auditit të Brendshëm.

Drejtori i Auditit të Brendshëm do të emërohet nga Këshilli Mbikëqyrës, me propozim të Guvernatorit. Ai do të ketë një mandat pesëvjeçar dhe mund të riemërohet. Ky pozicion do të ketë të njëjtin status, shpërblim dhe përfitime si Zëvendësguvernatorët. Projektligji thekson nevojën që drejtori i Auditit të ushtrojë detyrën në mënyrë të pavarur dhe objektive, pa marrë udhëzime nga Guvernatori apo Zëvendësguvernatorët.

Aktualisht, roli i Kontrollit të Brendshëm në BSH kryhet nga Inspektori i Përgjithshëm, i zgjedhur nga Kuvendi për një mandat pesëvjeçar dhe i shkarkueshëm vetëm nga ky organ. Megjithatë, projektligji parashikon që Inspektori aktual do të qëndrojë në detyrë deri në përfundim të mandatit të tij.

Projektligji gjithashtu propozon ngritjen e një Komiteti të Auditimit, i cili do të shërbejë si organ këshillimor për mbikëqyrjen e integritetit të raportimit financiar, efektivitetit të sistemit të kontrollit të brendshëm, menaxhimit të riskut dhe procesit të auditimit të jashtëm. Komiteti do të krijohet nga Këshilli Mbikëqyrës dhe do të përbëhet nga tre anëtarë të Këshillit, preferohet ata me përvojë në auditim ose menaxhim risku. Guvernatori dhe Zëvendësguvernatorët nuk mund të jenë pjesë e këtij komiteti. Komiteti i Auditimit mund të konsultohet nga ekspertë të jashtëm.

Një ndryshim i rëndësishëm është vendosja e kufizimeve për të drejtat e kontrollit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH). KLSH do të ketë të drejtë të auditojë vetëm operacionet dhe veprimtaritë administrative të BSH, si dhe ato që lidhen me aktivet, pajisjet, shërbimet mbështetëse, burimet njerëzore dhe administrimin. Auditimi do të kufizohet në ligjshmërinë dhe efikasitetin operacional të veprimtarive administrative. Nuk do të shtrihet në vlerësimin e arritjes së objektivave ligjorë të BSH, formulimin apo zbatimin e politikës monetare, ushtrimin e funksioneve bazë si bankë qendrore, apo auditimin e pasqyrave financiare (të cilat i nënshtrohen auditimit të jashtëm të pavarur).

Projektligji gjithashtu specifikon se KLSH nuk duhet t’i japë udhëzime BSH-së ose organeve të saj. E drejta për informacion e KLSH do të jetë e kufizuar vetëm në dokumentet dhe informacionet e nevojshme për auditimin e veprimtarisë administrative. Dokumentet dhe informacionet që lidhen me politikën monetare, stabilitetin financiar, operacionet e tregut apo të dhënat individuale bankare përjashtohen.

Anëtarët dhe personeli i KLSH do të jenë të detyruar të ruajnë sekretin profesional, të barasvlershëm me atë të personelit të BSH, si gjatë ushtrimit të detyrës ashtu edhe pas saj. BSH ka të drejtë të paraqesë komente dhe kundërshtime ndaj projekt-raportit të auditimit dhe nuk do të jetë e detyruar të paraqesë plan veprimi për rekomandimet e KLSH.

Scroll to Top