“Paketa e Maleve” rrezikon të nxisë konflikte sociale – thonë ekspertët
Kryeministri Edi Rama i kërkoi kryetarit të Bashkisë Kuçovë, Kreshnik Hajdari, gjatë një takimi me kryetarët e bashkive, të dorëzonin hartat e zonave prioritare në qeveri për zbatimin e ligjit “Paketa e Maleve”. Rama theksoi se dorëzimi i hartës nuk duhet të pengohet nga përgjigjet e Kadastrës për statusin e pronësisë, duke e cilësuar ligjin si “ilaçin” për problemin tridhjetëvjeçar të mungesës së dokumenteve të pronësisë për banorët ruralë.
Ligji parashikon që bashkitë të jenë nismëtare në procedurën e kalimit të pronave shtetërore apo private në pronësi të “investitorëve”, duke kërkuar nga qeveria shpalljen e tokave në territorin e tyre “zona zhvillimi”. Kjo kërkesë argumentahet me praninë e poseduesve jopronarë dhe vështirësitë në dhënien e lejeve të zhvillimit dhe ndërtimit.
Nisma, e lançuar në mars me një website të dedikuar, ka ngecur në fazën e krijimit të hartave të tokave nga bashkitë për investime potenciale. Ministri për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, deklaroi se janë evidentuar 33 projekte me potencial investimi, që sillnin rreth 10 milionë euro. Megjithatë, hezitimet e kryebashkiakëve u shuan nga tonet e Ramës, i cili kërkoi që të gjitha hartat të dorëzoheshin brenda tetorit.
Sjellja e kryeministrit është kritikuar më parë si cënim i autonomisë vendore. Në këtë rast, problematikat duken më të thella, duke nxitur bashkitë në procedura që mund të krijojnë përplasje ligjore dhe konflikte pronësie.
Ekspertë të pushtetit vendor dhe juristë e shohin këtë nismë si mbivendosje me ligjet ekzistuese dhe një mekanizëm që rrezikon të nxisë konflikte sociale. Agron Haxhimali nga Instituti i Bashkive thekson se çdo hartë e zonave prioritare e bërë pa marrë parasysh problemet e pronësisë do të krijojë përplasje të reja. Ai e cilëson si “më shumë nxitim administrativ sesa planifikim të qëndrueshëm”, duke paralajmëruar se pa zgjidhur çështjen e pronësisë dhe pa garantuar transparencë, çdo hartë investimi rrezikon të mbetet një ushtrim formal.
Haxhimali sugjeron që kryeministri të jetë më dëgjues ndaj kryebashkiakëve, në mënyrë që proceset të jenë ligjore dhe të shmangin konfliktet.
Juristi Marash Logu argumenton se nisma nuk zgjidh probleme, por krijon të reja dhe bie në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet për pronën. Ai cilëson termin “posedues jopronar” si të papranueshëm ligjërisht, pasi mund të legalizojë zaptuesit e paligjshëm të pronave. Logu paralajmëron se skema mund të aplikohet kudo, jo vetëm në zonat malore, dhe i ngjan ligjit të investimeve strategjike, që sipas tij, ka lejuar grabitjen e pronave.
Logu thekson se zbatimi i kësaj nisme nuk mund të fillojë pa u mbyllur proceset e hapura të pronësisë, si kthimi dhe kompensimi i ish-pronarëve. Ai parashikon konflikte sociale, duke dhënë si shembull situatën në veri, ku banorët aktualë mund të njihen pronarë për sipërfaqe më të mëdha, duke krijuar probleme me ata që janë larguar.