Ligji SHBA-së mbështet Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor

Koço Kokëdhima: Ligji i Mbrojtjes Kombëtare i SHBA-së, një lajm historik për Kosovën dhe gjithë Ballkanin Perëndimor

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka nënshkruar ligjin që zyrtarizon Aktin për autorizimin e mbrojtjes kombëtare. Ky akt, i miratuar nga të dy dhomat e Kongresit amerikan dhe me një vlerë prej gati një trilion dollarësh, përmend Kosovën dhe marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, e arritur në shkurt të vitit 2023 me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Sipas dokumentit, kjo marrëveshje “përfaqëson një hap pozitiv drejt normalizimit mes dy vendeve, të cilat duhet të synojnë përparim të shpejtë në zbatimin e Aneksit të kësaj marrëveshjeje.”

Ligji i mbrojtjes kombëtare i SHBA-së, i nënshkruar nga Presidenti Trump, thekson se:

  • “SHBA-ja do të vazhdojë mbështetjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, të bazuar në njohjen e ndërsjellë.
  • SHBA-të nuk do të mbështesin shkëmbime territoriale, ndarje apo ndryshime të tjera të kufijve sipas linjave etnike në Ballkanin Perëndimor për zgjidhjen e konflikteve.
  • SHBA-të duhet t’i mbështesin demokracitë pluraliste në rajon si një mjet për të parandaluar rikthimin e konflikteve etnike.”

Për politikanin dhe biznesmenin Koço Kokëdhima, ky zhvillim është historik, pasi SHBA-të përkrahin Kosovën dhe vendet e tjera të rajonit në rrugën drejt integrimit në NATO dhe BE, mbështesin dialogun Kosovë-Serbi të bazuar në njohje reciproke dhe kundërshtojnë ndryshimin e kufijve, ndarjet apo shkëmbimin e territoreve sipas vijave etnike për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes shteteve në Ballkan.

Reagimi i Kokëdhimës

Më 8 dhjetor, lajmi rreth Ligjit të Mbrojtjes Kombëtare të SHBA-së u cilësua si “fantastik për Kosovën”. Me dekretimin e këtij ligji nga Presidenti Trump, ky zhvillim është tashmë historik.

Deklarata ime e 8 dhjetorit 2025:

Qëndrimet e Amerikës me interes për Kosovën të Kodifikuara me Ligjin NDAA 2026!

Një nga ligjet më të rëndësishme në SHBA është NDAA – National Defense Authorization Act (Ligji mbi Autorizimet e Mbrojtjes Kombëtare). Pasi mori miratimin e Senatit dhe më pas edhe të Dhomës së Përfaqësuesve, NDAA për vitin fiskal 2026, ka qenë në tavolinën e Zyrës Ovale për dekretim nga Presidenti Trump.

Në tekstin e draftligjit NDAA, që përcakton thuajse të gjitha aspektet lidhur me sigurinë kombëtare të SHBA-së – nga pajisjet ushtarake dhe prokurimi i tyre, pagat e ushtarëve, e deri tek strategjitë mbrojtëse dhe buxheti i mbrojtjes – është përfshirë edhe një seksion që kodifikon me ligj politikën amerikane ndaj Ballkanit Perëndimor dhe Kosovës. Ligjit në fjalë, sipas NDAA 2026, i takojnë këto pika kryesore:

  • SHBA-të përkrahin Kosovën dhe vendet tjera të rajonit në rrugën drejt integrimit në NATO dhe BE.
  • SHBA-të përkrahin dialogun Kosovë-Serbi të bazuar në njohje reciproke.
  • SHBA-të nuk përkrahin ndryshim kufijsh, ndarje, apo shkëmbim territoriesh sipas vijave etnike për zgjidhjet e mosmarrëveshjeve ndërmjet shteteve në Ballkan.
Scroll to Top