Lirimi i të shoqëruarit për atentatin në Rinas

Atentati me dy viktima në Rinas, lirohet personi i shoqëruar

Personi i shoqëruar mbrëmjen e së martës nga policia lidhur me atentatin e Rinasit, është liruar pasi u mor në pyetje për disa orë. Burime të afërta me çështjen bëjnë me dije se 35-vjeçari me iniciale B.Xh. është banor i fshatit Halil, ku u gjet e djegur makina e përdorur nga autorët.

Sipas informacioneve, ai banon pranë vendit ku u dogj automjeti, por në deklarimet e tij ka pohuar se në momentin e ngjarjes nuk ndodhej në shtëpi. Ky fakt, sipas tij, mohon çdo lidhje me ngjarjen apo pamjen e autorëve të mundshëm.

Shoqërimi i tij për t’u marrë në pyetje u bë pasi më parë rezulton i dënuar për veprën penale të vjedhjes me dhunë.

Një muaj pas atentatit, policia vijon përqendrimin në marrjen në pyetje të personave të ndryshëm që mund të kenë dijeni për ngjarjen. Megjithatë, deri në këtë fazë, nuk ka autorë apo porositës të identifikuar.

Në atentatin e ndodhur mesditën e 11 nëntorit, humbën jetën Gilmdano Dani dhe, pak ditë më vonë, miku i tij Muçi Shaljani, i cili ndërroi jetë në spital. Të dy kishin qenë duke u kthyer nga Barcelona kur atentatorët u zunë pritë te rrethrrotullimi i Rinasit.

Scroll to Top