Llagami humb betejën gjyqësore për Gjykatën Kushtetuese
Gjykata Administrative në Tiranë ka vendosur të nxjerrë jashtë juridiksionit gjyqësor kërkesën e ish-kryetares së KLGJ-së, Naureda Llagami. Ky veprim bllokon shqyrtimin e kërkesës për sigurim padie, e cila synonte pezullimin e zbatimit të vendimit të Mbledhjes së Posaçme të Gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë. Vendimi në fjalë përzgjodhi gjyqtarin Asim Vokshi si fitues për një vakancë në Gjykatën Kushtetuese.
Asim Vokshi u rendit i pari në pikëzimin e bërë nga Këshilli Emërimeve në Drejtësi (KED), me një diferencë të vogël me Llagamin, e cila u rendit e dyta. Megjithatë, Llagami arriti të sigurojë 8 vota në Mbledhjen e Posaçme të Gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, ndërsa Vokshi mori 6 vota dhe një votë u cilësua e pavlefshme. Për shkak se asnjë kandidat nuk arriti të merrte 3/5-at e votave, Vokshi u shpall fitues bazuar në renditjen e KED.
Llagami ngriti pretendime lidhur me votën e pavlefshme dhe kërkoi të gjitha aktet e procedurës së votimit dhe numërimit të votave. Më pas, ajo i’u drejtua Gjykatës Administrative me kërkesë për pezullimin e zbatimit të vendimit që shpalli fitues Vokshin. Ajo deklaroi se fleta e votimit e shpallur e pavlefshme tregonte qartë vullnetin në favor të saj dhe e cilësoi si deformim të vullnetit të votës, ose më së paku si një vullnet të palexuar.
Gjykata Administrative njoftoi se gjyqtarja Semiramis Hoxholli ka vendosur nxjerrjen e çështjes jashtë juridiksionit gjyqësor dhe, si pasojë, mospranimin për shqyrtim të kërkesës për sigurim padie. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Kolegjin Administrativ të Gjykatës së Lartë brenda 5 ditëve. Në rast ankimi, Gjykata e Lartë do të përcaktojë gjykatën kompetente për shqyrtimin e kërkesës së Llagamit.
Naureda Llagami është në pritje të vendimit të arsyetuar për të vendosur për ankimimin. Ndërkohë, ankimi i Llagamit ka sjellë vonesa për dekretimin e Asim Vokshit në Gjykatën Kushtetuese.