“`html
BIRN: Fushata 220 mijë dollarëshe e lobimit të Veliajt në SHBA kundër drejtësisë
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhej në paraburgim prej dy muajsh, i dërgoi më 23 prill 2025 një letër senatorit amerikan Dick Durbin. Në këtë letër, Veliaj e përshkroi veten si viktimë të një persekutimi të ngjashëm me atë që mijëra shqiptarë pësuan gjatë regjimit komunist.
Ai shkroi: “Kjo më kujton taktikat e vjetra komuniste në Shqipëri, kur në mënyrë të paarsyeshme shënjestrohej ‘viktima’ dhe nxitej histeria për ta dehumanizuar, ndërkohë që shënjestra mbahej e izoluar në burg, pa akuza”. Veliaj i kërkoi Durbinit të bëhej “një flamurtar” i përballjes së tij me sistemin e drejtësisë në Shqipëri.
Letra për senatorin amerikan është pjesë e një fushate të gjerë lobimi në Shtetet e Bashkuara, e cila i ka kushtuar kryebashkiakut dhe vëllait të tij gati 220 mijë dollarë vetëm në vitin 2025. Dokumentet e publikuara nga zyra e avokatisë Kasowitz LLP, e kontraktuar nga Veliaj, pranë njësisë së regjistrimit FARA, prezantojnë pretendime për një persekutim të tij nga sistemi i drejtësisë, të shoqëruara nga artikuj përkrahës në mediat shqiptare. Dokumentet përmbajnë gjithashtu pretendime të paargumentuara se Veliaj po hetohet nga një prokuror në konflikt interesi apo që përdor ofendime ndaj tij në sallën e gjyqit.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, u arrestua në shkurt të vitit të shkuar nga Prokuroria e Posaçme me akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë. Bashkë me Veliajn akuzohen bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, ish-deputetja e PS, Klotilda Bushka, dhe 15 persona të tjerë, përfshirë biznesmenë dhe bashkëpunëtorë. Veliaj dhe të akuzuarit e tjerë i kundërshtojnë akuzat e Prokurorisë.
Studio ligjore Kasowitz Benson Torres në Nju Jork dhe Mishcon de Reya në Londër janë kontraktuar nga Arbër Veliaj, vëllai i kryebashkiakut, për të zhvilluar një fushatë të kushtueshme PR-i në mbrojtje të tij. Studioja amerikane Kasowitz Benson Torres ka depozituar së fundmi në FARA aktivitetin e kryer për llogari të Veliajt, i cili përbëhet kryesisht nga letra dhe mesazhe drejtuar politikanëve amerikanë dhe kontakteve të tjera ndërkombëtare. Përmes kompanisë së lobimit, Veliaj kërkon që ata të jenë “zëri i tij” dhe të kontaktojnë qeveritë e tyre, Parlamentet, Komisionin Europian si dhe organizatat e të drejtave të njeriut për të ushtruar presion publik për lirimin e tij.
Sipas dokumenteve të depozituara, Kasowitz Benson Torres është paguar 220 mijë dollarë dhe ka dërguar 75 emaile drejtuar 24 senatorëve dhe kongresmenëve amerikanë, Departamentit të Drejtësisë dhe Departamentit të Shtetit. Gjithashtu, janë bërë 11 telefonata dhe janë organizuar pesë takime. Letrat dhe mesazhet përmbajnë thuajse të njëjtat ankesa, duke përfshirë një sërë pretendimesh të paargumentuara kundër prokurorit të çështjes, Ols Dado. Për shembull, në emailet dërguar senatorëve dhe kongresmenëve, Dado paraqitet si “anëtar aktiv i partisë autoritare në opozitë, Partia Demokratike”.
Veliaj ngre vazhdimisht pretendime se Dado është në konflikt interesi dhe paraqitet si ndërtues, të cilit bashkia i ka refuzuar pjesërisht kërkesën për ndryshimin e një lejeje ndërtimi. Në materiale nuk jepet asnjë provë për akuzat, ato thjesht listohen në letrat që u janë dërguar përfaqësuesve në SHBA. Ndër të tjera, në dosje përfshihen edhe riprodhime të shkrimeve në media shqiptare, ku prokurorët e SPAK akuzohen për “linçim” dhe u atribuohen pa prova fjalë fyese ndaj Veliajt, të supozuara të thëna në sallën e gjyqit.
Pjesë e dosjes së lobimit është edhe raporti i firmave Kasowitz LLP dhe Mishcon de Reya i datës 24 qershor 2025, që e paraqet paraburgimin e Veliajt si “të padrejtë” dhe si problem që duhet të shqetësojë partnerët perëndimorë. Masa e arrestit ndaj Veliajt është vlerësuar e drejtë në të tre shkallët e gjyqësorit në Shqipëri.
Fushata ndërkombëtare e PR-it e ndërmarrë nga Veliaj, përveç asaj që është deklaruar në FARA, përfshin edhe një seri artikujsh në mbrojtje të tij, të publikuar në media periferike ndërkombëtare dhe të ripublikuara masivisht nga mediat në Shqipëri. Vetëm në dhjetor, menjëherë para fillimit të shqyrtimit të kërkesës paraprake për gjykimin e dosjes së tij, u publikuan të paktën tre artikuj, në të cilët ngrihej shqetësimi për një proces të padrejtë ligjor ndaj kryebashkiakut. Artikujt u përkthyen dhe ripublikuan masivisht në shqip.
Një prej artikujve u publikua nga Independent Policy Digest – një faqe interneti me qendër në Richmond, Virxhinia – e cila raportonte se arrestimi i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe mbajtja e tij në paraburgim, kishte probleme procedurale. Shkrimi për Veliajn në IPD ishte firmosur nga Kristopher O’Brien, një autor pa biografi dhe pa gjurmë të tjera botimesh në internet, për të cilin përdorej një foto stoku e përdorur edhe për një mori profilesh të ngjashme.
Më 4 dhjetor 2025, vetëm një ditë përpara seancës gjyqësore të Veliajt për masën e sigurisë në GJKKO, një media në Bruksel e quajtur “EUReporter” botoi gjithashtu një shkrim që mbështeste Veliajn dhe vinte në dyshim procesin ndaj tij. Shkrimi u publikua pa autor dhe media në fjalë i tha BIRN se i referohej raportit të zyrave të avokatisë.
Ndërkohë, në 11 dhjetor, Neil Watson, i cili nënshkruan si gazetar britanik dhe që njihet kryesisht për shkrimet dhe qëndrimet në mbështetje të presidentit autoritar të Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, shkroi i shqetësuar se procesi ndaj Veliajt cënonte rrugën e Shqipërisë drejt BE. Watson figuron vazhdimisht në median shtetërore në Azerbajxhan dhe në shkurt 2024, agjencia shtetërore e lajmeve publikoi urimin që ai i dërgonte Aliyevit, pasi ky fitoi zgjedhjet me 92 për qind të votave me nënshkrimin: “I juaji besnikërisht”.
“`
