Lufta Rusi-Ukrainë: Rreziku i përshkallëzimit

Analizë: A po hyn lufta Rusi-Ukrainë në një fazë më të rrezikshme përshkallëzimi?

Presidenti rus, Vladimir Putin, duket se është i gatshëm të përshkallëzojë luftën në Ukrainë, mes një bllokimi në fushëbetejë dhe rritjes së pakënaqësisë brenda shoqërisë ruse, sipas analizave të fundit, raportoi “Reuters”.

Sipas vlerësimeve, Kremlini po synon të ndryshojë narrativën e konfliktit përmes intensifikimit të sulmeve ajrore ndaj Kievit. Qëllimi është forcimi i mbështetjes së brendshme dhe bindja e opinionit publik se Rusia po fiton luftën, e cila tashmë ka hyrë në vitin e pestë.

Paralajmërimet ruse për kryerjen e sulmeve “të vazhdueshme dhe sistematike” me raketa ndaj kryeqytetit ukrainas, si dhe thirrjet për evakuimin e ambasadave të huaja nga Kievi, konsiderohen sinjale për zgjerimin e ofensivës, pavarësisht kostove të larta dhe reagimeve ndërkombëtare.

Manovrat masive të forcave bërthamore ruse dhe deklaratat e ashpra ndaj aleatëve evropianë të Ukrainës kanë theksuar, sipas analistëve, synimin e Moskës për të rritur presionin ushtarak.

Në fushëbetejë, avancimet ruse përgjatë frontit mbi 1.000 kilometra kanë ngecur, ndërsa forcat ukrainase kanë kryer kundërsulme dhe kanë rimarrë disa territore. Instituti për Studimin e Luftës (ISW) me qendër në Uashington, vlerëson se karakteri i luftës po ndryshon në favor të Ukrainës, të paktën për momentin.

Bllokimi në front shihet si një pengesë për objektivat e deklaruara të Moskës, për marrjen e rajonit të Donetskut, ndërsa Ukraina ka intensifikuar sulmet me rreze të gjatë ndaj infrastrukturës energjetike dhe objekteve ushtarake ruse.

Sipas analistëve, lufta po ndikon gjithashtu në ekonominë ruse, e cila përballet me ngadalësim të rritjes, rritje taksash dhe presion mbi buxhetin shtetëror. Ndërkohë, sektori civil po tregon shenja të ngadalësimit të zhvillimit, për shkak të përparësisë së industrisë ushtarake.

Ekspertët paralajmërojnë gjithashtu se vështirësitë në rekrutimin e ushtarëve dhe rritja e humbjeve mund ta detyrojnë Kremlinin të rrisë mobilizimin e burimeve njerëzore dhe materiale.

Scroll to Top