VIDEO/ Lufta në Iran! Për herë të parë SHBA përdori raketa precize me rreze veprimi deri në 500 kilometra! Çfarë janë PrSM?
Konflikti mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Izraelit dhe Iranit ka hyrë në javën e tij të parë, duke filluar në orët e para të së shtunës së kaluar. Një seri sulmesh ajrore janë zhvilluar në Teheran. Një element i rëndësishëm që bie në sy në këtë konflikt është përdorimi për herë të parë nga ana e SHBA-së, i raketave precize të sulmit (PrSM). Ky fakt u njoftua nga Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM), e cila menaxhon operacionet ushtarake në Lindjen e Mesme.
Me një rreze veprimi që arrin deri në 500 kilometra, raketat PrSM forcojnë ndjeshëm arsenalin ushtarak të Uashingtonit, duke zëvendësuar raketat ATACM. CENTCOM ka publikuar nëpërmjet një postimi në platformën X, se raketat PrSM posedojnë “aftësi të pakrahasueshme goditjeje”. Përdorimi i këtyre raketave konsiderohet një zhvillim thelbësor për Shtetet e Bashkuara, sipas mediave të huaja.
Në një deklaratë historike, Komanda Qendrore e SHBA-së theksoi: “Për herë të parë, raketat precize të sulmit me rreze të gjatë veprimi (PrSMs) u përdorën në luftime gjatë Operacionit Epic Fury, duke ofruar aftësi të papara goditjeje në thellësi. Unë thjesht nuk mund të jem më krenar për burrat dhe gratë tanë në uniformë që shfrytëzojnë inovacionin për të krijuar dilema për armikun.”
Çfarë janë Raketat Precize të Sulmit (PrSM)?
PrSM-të janë sisteme raketash me rreze të gjatë veprimi dhe precizion të lartë, të prodhuara nga kompania amerikane Lockheed Martin. Kompania dorëzoi raketat e para PrSM për Ushtrinë Amerikane në dhjetor 2023. Këto raketa kanë një rreze veprimi që varion nga 60 (37 milje) deri në 499 kilometra (310 milje). Ato janë të pajtueshme me sistemet e lëshimit MLRS M270 dhe HIMARS, të cilat gjithashtu janë zhvilluar nga Lockheed Martin dhe përdoren nga forcat e armatosura të SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Kompania thekson se raketat PrSM janë jashtëzakonisht fleksibile dhe mund të dislokohen shpejt, duke u dhënë forcave të armatosura mundësinë për t’iu përgjigjur menjëherë nevojave strategjike.
