Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë: LVV nominoj Albin Kurtin kandidat për kryeministër
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka nominuar kreun e partisë, Albin Kurtin, si kandidat për kryeministër të Kosovës në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.
Kurti mori besimin e të gjithë delegatëve të partisë gjatë një mbledhjeje të Këshillit të Përgjithshëm në Prishtinë, siç ishte parashikuar.
“Atëherë, konstatoj se me votat e të gjithë delegatëve të Lëvizjes, pra unanimisht, miratojmë propozimin që Albin Kurti të jetë kandidati ynë për kryeministër të Kosovës”, deklaroi Arbërie Nagavci, kryesuese e Këshillit të Përgjithshëm të partisë.
Pas nominimit, Kurti u shpreh i nderuar që edhe një herë iu besua si kandidati për kryeministër. Ai gjithashtu kritikoi partitë e tjera në vend për mungesën e gatishmërisë për bashkëpunim me partinë e tij pas zgjedhjeve të rregullta të 9 shkurtit.
“Jemi para zgjedhjeve të reja pa vullnetin dhe dëshirën tonë, por si pasojë e refuzimit nga subjektet e tjera për të pasur çfarëdo bashkëpunimi me neve. Së pari më refuzuan mua e pastaj edhe Glauk Konjufcën”, theksoi Kurti.
Kurti kishte bërë përpjekje disamuajshe për ta siguruar një mandat të tretë në krye të vendit, por as ai, as bashkëpartiaku i tij, Glauk Konjufca, nuk e morën mbështetjen e Kuvendit për të formuar qeverinë e re muajt e fundit.
LVV-ja i fitoi zgjedhjet e 9 shkurtit, por 48 vendet në Kuvend ishin të pamjaftueshme dhe Kurti nuk arriti të gjente një partner koalicioni për të arritur minimumin e kërkuar prej 61 ulëseve për një qeveri të pakicës.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e cila ditë më parë nominoi kreun e saj, Lumir Abdixhiku, për kryeministër në zgjedhjet e muajit të ardhshëm, kishte oferta nga Kurti për të bashkëqeverisur, por ato vazhdimisht i hodhi poshtë.
Pasi Kuvendi nuk arriti ta votojë qeverinë e re, presidentja Vjosa Osmani e shpërbeu Kuvendin javën e kaluar dhe shpalli zgjedhje të parakohshme për 28 dhjetor.
Si pasojë e mungesës së bashkëpunimit dhe lëshimeve politike, Kosova vazhdon të ketë Qeveri në detyrë që nga shkurti i këtij viti. Vendi tani shkon në zgjedhje të reja pa miratuar marrëveshje ndërkombëtare në vlerë rreth 200 milionë euro, buxhetin e vitit të ardhshëm të shtetit, buxhetin për Radiotelevizionin e Kosovës (RTK) dhe buxhetin për tri komuna – Prishtinë, Gjilan dhe Zubin Potok.
