Presidenti Emmanuel Macron ka ftuar sot në një takim krerët e partive kryesore politike të Francës, përpara afatit të caktuar për emërimin e një kryeministri të ri. Ky takim vjen pas paralajmërimeve nga kreu i bankës qendrore, se kriza politike po frenon rritjen ekonomike.
Macron synon të gjejë një kryeministër të gjashtë në pak se dy vjet, i cili të jetë i pranueshëm si nga qendra e djathtë ashtu edhe nga qendra e majtë, me qëllim miratimin e buxhetit përmes një parlamenti të fragmentuar.
Zyra presidenciale ka njoftuar se emërimi i kryeministrit të ri do të bëhet brenda 48 orëve. Franca, ekonomia e dytë më e madhe në eurozonë, po kalon krizën e saj më të thellë politike në dekada, pasojë edhe e vendimit të presidentit për zgjedhje të parakohshme vitin e kaluar, të cilat dobësuan më tej pakicën e tij parlamentare.
Deficiti ekonomik i Francës parashikohet të arrijë në 5.4% këtë vit, pothuajse dyfishi i kufirit të Bashkimit Evropian. Kryeministri i mëparshëm, Francois Bayrou, u rrëzua nga Asambleja Kombëtare për shkak të planeve të tij për kursime prej 44 miliardë eurosh, me qëllim uljen e deficitit në 4.6%.