Pamjet nga Nju Jorku: Maduro i prangosur dërgohet në gjykatë federale
Pamjet e publikuara nga disa media amerikane tregojnë Nicolás Maduro të prangosur dhe me zinxhirë në këmbë, i shoqëruar nga agjentë federalë. Ai po dërgohet nga burgu federal në Brooklyn drejt gjykatës federale në Manhattan, për paraqitjen e parë para gjyqtarit lidhur me akuzat në Shtetet e Bashkuara.
Sipas Associated Press, Maduro dhe bashkëshortja e tij, Cilia Flores, pritet të paraqiten në mesditë për një seancë të shkurtër procedurale. Kjo seancë është e detyrueshme në fillim të procesit penal dhe mund të hapë një betejë të gjatë ligjore mbi ligjshmërinë e arrestimit dhe pretendimet për imunitet.
Reuters raporton se të dy po mbahen në Metropolitan Detention Center në Brooklyn. Për shkak të natyrës së çështjes, pritet të trajtohen me masa të rrepta sigurie, përfshirë izolim të mundshëm dhe regjim 23 orë në qeli.
AP shton se aktakuza e bërë publike i lidh akuzat me trafikun e drogës, në kuadër të një çështjeje që administrata Trump e ka përdorur si bazë për kapjen dhe sjelljen e tij në Nju Jork. Vetë Maduro i ka mohuar prej vitesh pretendimet për përfshirje në trafikun e drogës.
Në një deklaratë të publikuar nga Zyra e Kryetarit të Bashkisë së Nju Jorkut, Zohran Mamdani e quajti operacionin amerikan “akt lufte” dhe “shkelje të ligjit federal dhe atij ndërkombëtar”. Ai shtoi se administrata e qytetit po monitoron situatën dhe do të japë udhëzime për sigurinë e komuniteteve të prekura.
