Makina e gazetarit digjet në Bulqizë, dyshohet zjarrvënie e qëllimshme

Digjet qëllimisht makina e gazetarit në Bulqizë

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në orët e para të mëngjesit të së dielës, rreth orës 02:58 në Bulqizë, ku është djegur makina e gazetarit Sami Curri. Zjarrvënia dyshohet të ketë qenë e qëllimshme, për shkak të detyrës së Currit si gazetar.

Makina kishte qenë e parkuar në afërsi të pallatit ku banonte gazetari. Në vendngjarje kanë mbërritur zjarrfikëset por nuk kanë mundur ta shuanin zjarrin, ndërsa policia po kryen veprimet hetimore rreth ngjarjes dhe po punon për zbardhjen e saj.

Sipas gazetarit, ky veprim synon t’i “mbyllë gojën”.

Bulqizë/Informacion paraprak

Rreth orës 02:58, të datës 26.04.2026, shërbimet e Policisë janë njoftuar nga shtetasi S. C., banues në Bulqizë (me profesion gazetar), se automjeti i tij tip “Ford Fiesta” ishte përfshirë nga flakët, ndërkohë që ishte i parkuar pranë banesës së tij.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë, grupi hetimor dhe shërbimi zjarrfikës kanë shkuar në vendngjarje.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon intensivisht veprimet për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të rastit, identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorit/ve, pasi paraprakisht dyshohet për djegie të qëllimshme. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Scroll to Top