Mali i Zi synon të heqë regjimin pa viza për shtetasit turq.
Kryeministri malazez, Milojko Spajiç, ka njoftuar se vendi i tij po planifikon të ndërpresë marrëveshjen e vizave me Turqinë, e cila aktualisht lejon qytetarët turq të qëndrojnë në Mal të Zi për 90 ditë pa vizë.
“Me procedurë urgjente, do të miratojmë një vendim për pezullimin e përkohshëm të regjimit pa viza për shtetasit turq,” ka shkruar Spajiç në rrjetin social X të dielën.
Ky vendim vjen pas një incidenti të ndodhur në një klub nate në Zabjelo, ku u ndaluan 45 persona. Dy prej tyre, një shtetas turk dhe një azerbajxhanas, u arrestuan më vonë për sjellje që rezultuan në lëndimin e disa personave.
Policia malazeze deklaroi se gjatë kontrollit të ligjshmërisë së qëndrimit të shtetasve të huaj të ndaluar, janë identifikuar parregullsi dhe janë marrë masat e duhura. Si pasojë, janë lëshuar shtatë urdhër-arreste për shkelje të Ligjit për të Huajt, tetë shtetas të huaj janë urdhëruar të largohen nga Mali i Zi, ndërsa dy të tjerë duhet të qëndrojnë në një adresë specifike dhe të raportojnë rregullisht në polici deri në përfundimin e procedurave.
Malit të Zi, një vend i vogël me rreth 623,000 banorë, i ka parë rritje të numrit të banorëve dhe bizneseve turke. Sipas statistikave të fundit të publikuara më 30 shtator, në Mal të Zi banojnë aktualisht 13,308 shtetas turq. Nga 24,278 biznese të huaja të regjistruara në vend, 6,866, ose 28.3%, janë në pronësi të shtetasve turq.
Turistët turq përbëjnë gjithashtu një kontribut të rëndësishëm në industrinë e turizmit të Malit të Zi. Në vitin 2024, vendi regjistroi 2,606,854 mbërritje dhe 15,594,299 netë qëndrimi. Vizitorët nga Turqia përbëjnë 4.9% të totalit, pas Serbisë (23.5%), Rusisë (18.3%), Bosnjës (8.4%), Gjermanisë (4.7%), Ukrainës (4.3%) dhe Britanisë (3.8%).
Bashkimi Evropian ka bërë presion mbi vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Malin e Zi, që të harmonizojnë politikat e vizave me ato të shteteve anëtare të BE-së, pasi qytetarët turq kanë nevojë për vizë për të hyrë në zonën Shengen.
Në përpjekje për t’u përafruar me legjislacionin e BE-së, Mali i Zi ka futur kërkesa për viza për banorët e Emirateve të Bashkuara Arabe, Kubës dhe Ekuadorit gjatë vitit 2023.
Raporti i BE-së për Malin e Zi në vitin 2023 theksonte se ka 12 vende të cilat nuk kërkojnë vizë për të hyrë në Mal të Zi, por jo domosdoshmërish edhe në BE. Nga këto, shtatë gëzojnë përjashtim të përhershëm nga vizat (Azerbajxhani, Bjellorusia, Kina, Kuvajti, Katari, Rusia, Turqia), ndërsa pesë kanë heqje sezonale të vizave për hyrje në Mal të Zi për qëllime turistike nga prilli deri në tetor (Armenia, Egjipti, Kazakistani, Arabia Saudite, Uzbekistani).
Qeveria turke ka deklaruar se ka kontaktuar autoritetet malazeze pas “disa zhvillimeve shqetësuese… në Mal të Zi, të cilat prekën edhe qytetarët tanë”, duke mos iu referuar drejtpërdrejt vendimit të qeverisë malazeze për heqjen e regjimit pa viza.