Marrëveshja SHBA-Iran për Paqe dhe Ngushticën e Hormuzit

Ngushtica e Hormuzit – Jetike për Furnizimet Globale

Nënkryetari amerikan, J.D. Vance, ka deklaruar se presidenti Donald Trump mund të vendosë ta bëjë publike para datës 19 qershor marrëveshjen kornizë për t’i dhënë fund luftës me Iranin. Kjo marrëveshje u nënshkrua në mënyrë dixhitale të hënën dhe pritet të firmoset zyrtarisht gjatë një ceremonie në Gjenevë, Zvicër, më 19 qershor.

Duke folur për “Fox News”, Vance theksoi se marrëveshja bazohet plotësisht në përmbushjen e kushteve. Ai sqaroi se Irani do të ketë qasje në fondet për rindërtimin e vendit vetëm nëse respekton plotësisht kushtet e marrëveshjes. “Iranianët nuk do të marrin asnjë qindarkë nëse nuk sillen siç duhet dhe nëse nuk e ndryshojnë sjelljen e tyre,” tha Vance.

Më herët, Vance i kishte thënë “CNN” se memorandumi i mirëkuptimit mes SHBA-së dhe Iranit është rreth një faqe e gjysmë dhe e cilësoi atë si një dokument “shumë të përgjithshëm”. Marrëveshja kornizë u jep Washingtonit dhe Teherit 60 ditë kohë për të negociuar një marrëveshje të përhershme, duke përfshirë zgjidhjen e mospajtimeve lidhur me rezervat e uraniumit të pasuruar të Iranit.

Zyrtarë amerikanë thanë të hënën se marrëveshja mund të publikohet për publikun brenda 24 deri në 48 orësh. Trump ka theksuar se thelbi i marrëveshjes gjithëpërfshirëse për paqe do të jetë garantimi se Irani nuk do të zhvillojë kurrë armë bërthamore dhe se Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e hapur për qarkullimin e lirë të anijeve.

Ngushtica, e cila është një rrugë jetike për furnizimet globale me naftë dhe gaz, ka qenë praktikisht e bllokuar nga Irani që kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulmet ndaj Republikës Islamike më 28 shkurt. Bllokimi i saj tronditi tregjet e energjisë dhe ekonominë globale.

Marrëveshja kornizë mes SHBA-së dhe Iranit u mirëprit nga udhëheqësit perëndimorë, të cilët thanë se Ngushtica e Hormuzit duhet të jetë e hapur për lundrim pa tarifa dhe se Teherani nuk duhet të zotërojë kurrë armë bërthamore.

Scroll to Top