Përleshje bandash në një burg në Ekuador: 27 të burgosur gjenden të varur
Të paktën 31 të burgosur u gjetën të vdekur në burgun El Oro, në qytetin jugor të Machalës, Ekuador, siç njoftuan autoritetet lokale. Nga këta, 27 u gjetën të varur.
Ngjarja e rëndë ndodhi të dielën në mëngjes gjatë një përleshjeje midis bandave rivale. Përplasja shkaktoi gjithashtu vdekjen e katër personave të tjerë dhe plagosjen e mbi 34 të burgosurve.
Sipas Shërbimit të Burgjeve të Ekuadorit, disa orë më vonë, rojet, pasi u njoftuan për një shpërthim të ri dhune, gjetën të burgosurit e mbetur të varur në katin e tretë të burgut.
Burgjet e Ekuadorit, të cilat shpesh funksionojnë përtej kapacitetit të tyre, kanë qenë arenë e dhjetëra përleshjeve vdekjeprurëse mes bandave gjatë viteve të fundit.
Shërbimi i burgjeve ka bërë të ditur se përleshjet e fundit duket se janë nxitur nga planet për të transferuar disa të burgosur në një burg të ndërtuar rishtas.
Ky nuk është incidenti i parë fatal në burgun El Oro. Në shtator, 13 të burgosur dhe një roje humbën jetën në një përleshje të ngjashme.
Të afërmit e të burgosurve po i bëjnë thirrje autoriteteve të shtrëngojnë masat e sigurisë, përfshirë largimin e bandave rivale. Ndërkohë, banorët e Machalës kanë kërkuar prej vitesh zhvendosjen e burgut nga qendra e qytetit.
Qeveria e Presidentit Daniel Noboa njoftoi këtë vit ndërtimin e burgut të ri me siguri maksimale, El Encuentro, në provincën e Santa Elenës. Objekti i ri pritet të hapet në fund të nëntorit dhe do të ketë masa moderne sigurie, sipas ministrit të Brendshëm.
