Masakër në Idaho: 3 të vrarë në restorant, autori vdiq

SHBA: Masakër në një restorant në Idaho, tre të vrarë nga të shtënat me armë

Një sulm i armatosur ka tronditur qytetin Twin Falls, në shtetin amerikan të Idaho-s. Një person ka hapur zjarr brenda dhe jashtë një restoranti In-N-Out, duke lënë pas tre viktima dhe disa të plagosur.

Sipas autoriteteve lokale, ngjarja ndodhi të shtunën dhe shkaktoi panik mes klientëve dhe kalimtarëve.

Zëdhënësi i qytetit, Josh Palmer, konfirmoi se tre persona humbën jetën, ndërsa të paktën dy të tjerë u plagosën. Autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë që numri i të lënduarve të rritet.

Shefi i Policisë së Twin Falls, Matthew Hicks, bëri të ditur se autori i dyshuar është gjetur i vdekur, duke shtuar se nuk ka më rrezik për komunitetin. Deri tani nuk është bërë e ditur nëse ai përfshihet në bilancin e viktimave.

Policia ka nisur hetimet për të zbardhur motivin e sulmit, ndërsa identiteti i viktimave dhe i autorit nuk është bërë ende publik.

Restoranti ku ndodhi sulmi ishte hapur vetëm një javë më parë dhe ishte kthyer shpejt në një nga pikat më të frekuentuara nga banorët e zonës. Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për të sqaruar të gjitha rrethanat e sulmit.

Scroll to Top