Mbi 130 të vdekur në Rio pas operacionit policor kundër bandës

Rio de Zhaneiro: Mbi 130 të vdekur pas operacionit policor kundër bandës kriminale “Komanda e Kuqe”

Numri i personave të vdekur gjatë një operacioni policor të përgjakshëm kundër bandës kriminale Comando Vermelho (Komanda e Kuqe) në Rio de Zhaneiro ka arritur në të paktën 132.

Ky informacion u bë i ditur nga zyra e Avokatit të Popullit të shtetit të Rio de Zhaneiros. Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, Policia Federale e Rio de Zhaneiros raportoi për 119 të vdekur pas orësh luftimesh në favelat Alemão dhe Penha.

Fillimisht, qeveria e shtetit Rio de Zhaneiro kishte konfirmuar 64 të vdekur, përfshirë katër oficerë policie. Megjithatë, gjatë të mërkurës (29.10.), banorët e favelës Penha nxorën dhjetëra trupa nga zonat e braktisura dhe pyjore përreth dhe i vendosën në rrugën kryesore të lagjes.

Deklarata zyrtare dhe reagimet

Zëdhënësi i policisë ushtarake, Marcelo de Menezes Nogueira, u shpreh për TV Globo se ai mendon se ka ende më shumë të vdekur të paregjistruar. Banorët e favelave vendosën kufomat në rrugë. Shumë prej tyre ishin të veshur vetëm me të brendshme. Anëtarët e familjeve nisën kërkimin e të dashurve të tyre, ndërsa të tjerë vajtonin për të afërmit e humbur.

Aktivisti Raull Santiago, i cili ndihmoi në gjetjen e trupave, tha për TV Globo: “Në 36 vjet që jetoj në favelë, gjatë të cilave kam qenë dëshmitar i disa operacioneve dhe masakrave, nuk kam parë kurrë diçka të krahasueshme me atë që po shoh sot. Kjo është diçka e re. Brutale dhe e dhunshme në një nivel të panjohur më parë.”

Ai shtoi se operacioni ishte aksioni më i përgjakshëm policor në historinë e shtetit të Rio de Zhaneiros. Pavarësisht numrit të viktimave, guvernatori Cláudio Castro e quajti operacionin një sukses. “Ne mbështesim gjithçka që bëmë dje,” tha ai, duke u shprehur ngushëllime familjeve të katër oficerëve të vrarë. “Viktimat e vetme dje ishin oficerët e policisë,” përfundoi ai.

Arrestime dhe sekuestrime

Comando Vermelho është një nga kartelët më të mëdha kriminale në Brazil dhe është kryesisht e përfshirë në trafikun e drogës. Sipas autoriteteve, gjatë operacionit u arrestuan 81 persona të dyshuar, mes tyre një udhëheqës rajonal i grupit si dhe shefi i financave të njërit prej bosëve kryesorë të bandës.

Policia sekuestroi gjithashtu mbi 90 armë automatike dhe më shumë se 200 kilogramë drogë. Pas operacionit, dhjetë udhëheqës të lartë të Comando Vermelho, të cilët gjenden në burg, u transferuan në një burg të sigurisë së lartë, pasi dyshohet se kanë urdhëruar akte hakmarrjeje kundër forcave të sigurisë.

Scroll to Top