Video dramatike: I goditur nga rrufeja dhe mbijetoi
Ndjeva djegie dhe ndjesi të forta shpimi gjilpërash.
Një incident i pazakontë ka ndodhur në Staten Island të New York-ut, ku një burrë ka mbijetuar pasi është goditur nga rrufeja, vetëm pak metra larg makinës së tij.
Ngjarja ka ndodhur të enjten, më 27 gusht, në rrugën Todd Hill, pranë Windsor Road. Thomas Fami po ecte në rrugë kur rrufeja e ka goditur dhe ai është rrëzuar menjëherë në tokë. Momenti i frikshëm është kapur nga një kamera sigurie.
Fami ka treguar se pas goditjes ka përjetuar dhimbje të forta, djegie, ndjesi shpimi gjilpërash dhe mpirje në të dyja këmbët. Pavarësisht fuqisë së goditjes, ai nuk ka humbur ndjenjat.
Pas pak çastesh, ai ka arritur të ngrihet dhe është drejtuar drejt një banese aty pranë për të kërkuar ndihmë. Stephanie Homan, banore e zonës, ka thënë se ka dëgjuar thirrjet për ndihmë dhe ka dalë menjëherë nga shtëpia.
“Dëgjova ‘ndihmë, ndihmë’, kështu që vrapova te dera dhe e pashë të shtrirë në tokë,” ka treguar ajo.
Fami nuk ka pësuar djegie të dukshme apo dëmtime të rënda, por është transportuar në Spitalin Universitar të Staten Island, ku ka qëndruar nën vëzhgim gjatë natës. Ai është larguar nga spitali të nesërmen.
Burri, i cili punon në zyrën e përfaqësueses amerikane Nicole Malliotakis, e ka cilësuar ngjarjen si një kujtesë të fortë për vlerën e jetës.
“Vlerësoje jetën, buzëqesh dhe merr frymë ajër të pastër herë pas here dhe mos e lë jetën të të mposhtë,” është shprehur ai.
Edhe Malliotakis ka shprehur lehtësim për faktin se Fami i ka mbijetuar incidentit dhe ka falënderuar personat që i kanë dhënë ndihmën e parë, si dhe stafin mjekësor.
Sipas të dhënave të cituara nga autoritetet amerikane, rreth 37 milionë rrufe regjistrohen në Shtetet e Bashkuara çdo vit. Megjithatë, probabiliteti që një person të goditet nga rrufeja është më pak se një në një milion, dhe rreth 90% e personave të goditur mbijetojnë.
