Dalin detaje: Çfarë ndodhi në mbledhjen e Ramës në selinë e PS-së
Kryeministri dhe njëkohësisht kreu i Partisë Socialiste (PS), Edi Rama, zhvilloi një mbledhje rreth 90-minutëshe me deputetët e qarkut të Tiranës në selinë e partisë, mbrëmjen e së mërkurës. Në takim morën pjesë edhe drejtuesja e fushatës për Tiranën, Belinda Balluku, dhe kandidatja për kryetare të bashkisë së kryeqytetit, Ogerta Manastirliu.
Megjithëse Gjykata Kushtetuese vendosi të mos ketë zgjedhje në Tiranë, Rama ka qenë i qartë në porositë e tij. Ai kërkoi rigjallërimin e strukturave të PS në Tiranë dhe një organizim më të mirë të partisë.
Sipas burimeve, Rama u ka dhënë udhëzime strukturave të PS në kryeqytet, duke theksuar nevojën për forcimin e organizimit të partisë, rritjen e komunikimit me qytetarët dhe adresimin e problematikave që vijnë nga njësitë administrative.
Kryeministri nënvizoi se partia duhet të ruajë ritmin e punës dhe të jetë e përgatitur për zgjedhje në çdo moment, pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese për anulimin e zgjedhjeve të pjesshme në Tiranë.
“Mos të humbim ritmin e punës së partisë në Tiranë. Pavarësisht situatës nga Kushtetuesja ne duhet të jemi gati për zgjedhje në çdo kohë”, – raportohet të jetë shprehur Rama.
