Meloni e Zelenski: Mbështetja e Italisë për Ukrainën

Meloni zhvilloi një bisedë telefonike me Zelenskyn: Roma do të kontribuojë në mbështetjen e infrastrukturës energjetike të Ukrainës

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin ukrainas Volodimir Zelenski, në prag të vizitave që ai pritet të kryejë ditët e ardhshme në Bruksel, Romë dhe Londër.

Kryeministrja italiane i riafirmoi edhe një herë solidaritetin e Italisë ndaj Ukrainës, pas sulmeve të fundit ruse. “Giorgia Meloni informoi presidentin Zelenski se vendi i saj do të dërgojë material të jashtëzakonshëm për mbështetjen e infrastrukturës energjetike dhe të popullit ukrainas.”

Sipas njoftimit të qeverisë italiane, “gjeneratorë nga kompani italiane do t’u dërgohen Ukrainës në ditët në vijim”.

Meloni shprehu edhe një herë mbështetjen e saj për negociatat që janë në zhvillim dhe për përpjekjet e Shteteve të Bashkuara “për të gjetur një proces që do të çojë drejt një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme”.

“Gatishmëria e Ukrainës për t’u ulur në tryezën e negociatave me mirëbesim e ndihmon këtë proces. Për pasojë, u ritheksua pritshmëria që të ketë një hapje të ngjashme edhe nga pala ruse,” përfundon njoftimi i qeverisë italiane.

Scroll to Top