Rasti “Sarkozy”/ Meta godet SPAK-un: “Në Francë sundon ligji, këtu Ramaforma”
“Rasti i Sarkozisë na tregon se cila është drejtësia e vërtetë europiane, ajo ku gjykata është mbi të gjithë dhe jo prokuroria,” shkruan Ilir Meta në një status të gjatë. Ai e përdor ngjarjen e ish-presidentit francez për të akuzuar sistemin shqiptar të drejtësisë si të kapur politikisht dhe për ta kontrastuar me modelin francez të proporcionalitetit dhe prezumimit të pafajësisë. Në tekst, Meta ripërdor të gjitha akuzat e tij ndaj SPAK-ut, “Ramaformës” dhe proceseve të hapura ndaj tij, duke e vendosur rastin Sarkozy si sfond për të treguar, sipas tij, se drejtësia shqiptare “ka devijuar nga modeli europian”.
Më poshtë statusi i plotë i Metës:
RASTI SARKOZI, QË NXJERR LAKURIQ RAMAFORMËN
Për Presidentin Sarkozi kam një respekt të veçantë. Në radhë të parë për mbështetjen e tij pa asnjë rezervë për Kosovën dhe pavarësinë e saj, por edhe për arritjet e tij të jashtëzakonshme si politikan i vetëbërë. Po kështu kam patur kënaqësinë ta pres atë në Presidencë dhe të çmoja promovimin që ai i bënte Shqipërisë. Jam i keqardhur për situatën e tij me drejtësinë, por jam i qetë për të, se jam i bindur se në shtetin e tij mbizotëron ligji akoma sipas Konventës Europiane.
Të mos harrojmë se drejtësia franceze 105 vite më parë liroi Avni Rustemin edhe pse ai ligjërisht kishte kryer një vrasje, që tronditi jo vetëm Parisin. Në fund fare gjykata e kuptoi se ajo nuk ishte një vrasje, por një zgjidhje politike e pashmangshme për të garantuar ekzistencën e një shteti, që kërcënohej jo vetëm nga orekset “gjeopolitike” të fqinjëve dhe aleatëve të tyre, por edhe nga keqpërdorimi i mercenarëve shqipfolës.
Pavarësisht nga akuzat e rënda ndaj Presidentit Sarkozi, mënyra e shoqërimit të tij ishte mbresëlënëse, jo sikur po shkonte në burg, por sikur po rikthehej në Pallatin Elize. Jo vetëm kaq. Nuk kaluan as 20 ditë dhe gjykata e liroi duke i vendosur si kusht të mos dilte nga Franca dhe të mos takohej me të pandehurit dhe dëshmitarët e përfshirë në akuzat kundër tij. Përse kështu? Sepse Franca është një shtet ku ende mbizotëron ligji, ku ekziston prezumimi i pafajësisë por edhe parimi i proporcionalitetit.
Duke shkruar këto radhë, mos kujtoni se jam i hatërmbetur për mënyrën mafioze se si Narkoshteti më rrëmbëu mua si person nën hetim në prag të zgjedhjeve parlamentare. Përkundrazi, jam krenar sepse jo vetëm mënyra mafioze e rrëmbimit, por edhe hetimet mafioze, që i paraprinë prej gati 6 vitesh atij akti banditesk, provuan atë që kisha denoncuar me kohë edhe si President i Republikës: kapjen e “drejtësisë së re” dhe shndërrimin e saj nga Reformë me 140 vota, sipas Komisionit të Venecias, në Ramaformë me 69 vota dhe betime gjykatësish te noteri te “Lana”.
Rama harxhohet shumë duke na nxjerrë lloj-lloj europianësh e sidomos “italianësh” për të na “mallëngjyer” me arritjet e “drejtësisë së re”, edhe pse Vietnami njëpartiak na ka lënë pa targa. Por shqiptarëve u mjaftojnë vetëm dy italianë për të kuptuar Narkoshtetin dhe Ramaformën si zgjatim të tij.
Së pari, dëshminë e Gjeneral Lisit për miqësinë e tij me Don Agaçion, i cili ishte shefi i vërtetë i vetingut dhe “drejtësisë së re”, por edhe përgjegjësi i parë ligjor për të gjitha aferat e Qeverisë: nga inceneratorët, “tigrat” e Bangladeshit që solli Kimetja, tek PPP-të që janë të gjitha në hetim, por që gllabërojnë çdo vit qindra milionë euro nga Buxheti i Shtetit.
Së dyti, dëshmitë e rënda por të vërteta të prokurorit antimafia, Z. Gratteri, i cili thotë se nuk është teprim ta cilësosh Shqipërinë si Narkoshtet. Por edhe nëse nuk na e thotë Z. Gratteri apo eurodeputeti Gahler (se në Shqipëri grupet kriminale bllokuan rotacionin), ne shqiptarët i kemi sytë në ballë për të krahasuar kursin e lekut me dollarin dhe euron përpara 10 vitesh dhe sot, kur falë Ramaformës, narkoeurot kanë shkatërruar industritë prodhuese dhe eksportuese.
Si mund të forcohet leku në një vend ku eksportet janë 8% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, ose 7 herë më pak se Maqedonia e Veriut fqinje? Sepse këtu Narkodrejtësia mban në sirtar 251 urdhër-arreste për kapot e krimit të organizuar, të cilët janë edhe investitorë “strategjikë” dhe që janë lënë të lirë sepse mbledhin vota për regjimin e Edi Ramës. Sepse Narkodrejtësia këtu shpik “grup” të Ilir Metës me anëtarë ish-vjehrrën, ish-gruan, kushërirat dhe kushërinjtë e tyre. Sepse Narkodrejtësia merret me një çështje të stërgjykuar në Shqipëri, Arbitrazhin e Vjenës, si ajo CEZ-DIA, ku shteti çuditërisht rezulton të ketë dalë me fitim nga sekuestrimi në 2014 të rreth 5 milionë eurove, shtetasit Kastriot Ismaili, nga 1.1 milionë euro që është dëmi që ka pësuar shteti sipas vet vendimit të Gjykatës së Lartë. Jo vetëm kaq, por ky qytetar bën edhe 8 vite burg vetëm për t’i marrë një dëshmi të rreme kundër Ilir Metës. Ndërkohë dy “bashkëpunëtorët” e tij çekë, që sipas gjykatës tonë i kanë shkaktuar CEZ-it (kompani shtetërore, jo private) një dëm 3 herë më të madh nuk dënohen nga drejtësia e tyre europiane. Ndërkohë për kallëzimin e bërë jo nga një delinkuent, por nga vetë Kontrolli i Lartë i Shtetit për Ramën dhe Gjiknurin që i falën 479 milionë euro CEZ-it, SPAK-u nuk pipëtin.
Ndërsa për “amerikanllëqet” e SPAK-ut me lobimet nuk ia vlen të zgjatem fare, aq kohë sa asnjë “Bilal” apo McGonigal nuk është në burgjet e SHBA për “hatrin” tim apo të Partisë së Lirisë (LSI). Por procesi në themel do të provojë të gjitha manipulimet e SPAK-ut për të mos hetuar me transparencë, me qëllimin e vetëm për të akuzuar Ilir Metën, personin i cili nuk ka asnjë firmë apo autorizim, por as edhe dijeni për çdo veprim jashtë kontratës së LSI me GSIS, që është shumë e qartë.
Sidoqoftë, është e rëndësishme që Gjykata e Parisit i dha fund 20 ditëve raskapitëse në burg të Presidentit Sarkozi. Besoj ishte kohë e mjaftueshme për të lexuar me përqendrim dy librat që mori me vete, e sidomos “Kontin e Monte Kristos”, që është jo vetëm i gjatë, por ku çdo fjalë e Aleksandër Dumas është e qëndisur me një fuqi të mbikohshme, ashtu si edhe karakteret që ka gdhendur, të cilëve mund t’u ndërrojmë vetëm emrat edhe sot pas 2 shekujsh.
Sidoqoftë, rasti Sarkozi na shërbeu për të kuptuar se cila është drejtësia e vërtetë europiane, ajo ku gjykata është mbi të gjithë dhe jo prokuroria. Ndaj atyre “europianëve” që ju thonë shqiptarëve se SPAK-u është drejtësia e kulluar dhe supreme, u thoni se ne e dimë ku i merrte çantat me dollarë McGonigali, po ju ku i merrni zarfat me euro?
Sepse Ramaforma, siç thoshte McGonigali, ishte një mundësi e madhe për ata si ai dhe ata që sollën “tigrat” e Bangladeshit. Por Ramaforma është një pamundësi e madhe për shqiptarët, viktimat e pafundme të 200 mijë dosjeve të stivuara prej 10 vitesh. Shumica e tyre nuk kanë mundësi ekonomike as të vijnë një herë në Tiranë për të ndjekur një seancë gjyqësore, e jo më të shkojnë në Gjykatën e Strasburgut për të marrë drejtësi.
Për fat të mirë, unë e kam këtë mundësi që të shkoj atje jo për të mbrojtur Ilir Metën, por për t’u treguar të gjithëve se eksperimenti me një popull të tërë dështoi me sukses të plotë.
Meqenëse e nisëm me një rast nga Franca, nuk duhet të harrojmë se Franca dekoroi Esatin dhe po Franca liroi edhe Avniun. Për fat të mirë, Franca ka edhe Strasburgun ku ndëshkohen autokratët e kontinentit.
