Milani Tentoi për Talentin që Debutoi me Ish-Trajnerin e Partizanit, Por Partizani i Beogradit Bllokon Marrëveshjen
Milani vijon përpjekjet për të afruar Andrej Kostiç, por aktualisht po has në një rezistencë të fortë nga Partizani i Beogradit. Klubi serb nuk duket i gatshëm të heqë dorë lehtësisht, pavarësisht interesimit konkret dhe kontakteve të drejtpërdrejta mes drejtuesve të dy klubeve.
Sipas informacioneve të raportuara nga Sky Sport, një komunikim mes Zlatan Ibrahimoviçit dhe Predrag Mijatoviçit nuk ka qenë i mjaftueshëm për të zhbllokuar negociatat. Oferta fillestare e Milanit, e vlerësuar rreth 4.5 milionë euro, është refuzuar menjëherë nga Partizani i Beogradit.
Drejtuesit e klubit serb mbështeten në një klauzolë largimi prej 20 milionë eurosh. Për më tepër, ata janë të detyruar t’i kalojnë 20% të shumës së përfituar ish-klubit Buduçnost, aty ku Kostiç u rrit dhe bëri debutimin e tij si profesionist, nën drejtimin e Malladen Milinkoviç.
Për këto arsye, kërkesat e tyre mbeten të larta, rreth 12 milionë euro, të shoqëruara me bonuse dhe një përqindje nga një rishitje e mundshme në të ardhmen. Edhe pse distanca mes palëve është ende e konsiderueshme, negociatat nuk janë ndërprerë.
Kontaktet pritet të vazhdojnë edhe në vijim, me shpresën për gjetjen e një kompromisi që do t’i hapte rrugë transferimit të Kostiçit drejt Serie A. (PANORAMASPORT.AL)
