Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nafi: Aksi Milot–Balldren, korridor zhvillimi për Veriun e Shqipërisë
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nafi, vlerësoi sot projektin për ndërtimin e aksit rrugor Milot–Balldren, pas shpalljes së fituesit për realizimin e tij. Ai e cilësoi këtë investim si tepër të rëndësishëm për qarkun e Lezhës, qarkun e Shkodrës dhe për të gjithë zonën e veriut të vendit.
Sipas Ministrit Nafi, ky është një investim strategjik që tregon vëmendjen e shtuar ndaj zhvillimit të rajoneve me potencial të lartë ekonomik dhe social. Ai theksoi se ky projekt është konkretizimi i një vizioni që synon të lidhë më mirë komunitetet, të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve dhe të krijojë mundësi të reja zhvillimi.
“Po shohim konkretizimin e një vizioni që synon të lidhë më mirë komunitetet, të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve dhe të krijojë mundësi të reja për zhvillim,” shkroi ministri Nafi në reagimin e tij.
Ai nënvizoi se, përmes investimeve të tilla, po përmbyllen akse rrugore me rëndësi jetike, të cilat ofrojnë më shumë perspektivë rajoneve të vendit. Ministri Nafi e konsideroi aksin Milot–Balldren jo thjesht një rrugë, por një korridor zhvillimi që do të nxisë më shumë biznes, investime dhe mundësi për ekonominë lokale e kombëtare.
Fituesi për ndërtimin e aksit rrugor Milot-Balldren u shpall të premten, më 5 qershor. Ky projekt konsiderohet një aks i shumëpritur, pjesë e Korridorit Adriatiko-Jonian, i cili do të lehtësojë ndjeshëm qarkullimin e automjeteve për të gjithë veriun e vendit. Aksi është pritur me entuziazëm nga banorët e qarqeve Shkodër dhe Lezhë, pasi do të sjellë lehtësimin e trafikut në këto zona.