Ministri italian i Mbrojtjes akuzon Rusinë për luftë hibride: Po sulmohemi, është irracionale të mos reagojmë
Qeveria italiane ka ngritur alarmin për përshkallëzimin e “sulmeve hibride ruse” në Evropë. Ministri i Mbrojtjes, Guido Crosetto, kërkon një reagim të menjëhershëm nga Perëndimi, duke theksuar se kërcënimet po prekin gjithnjë e më shumë infrastrukturën kritike dhe stabilitetin e shteteve.
Sipas një raporti të titulluar “Kundërshtimi i Luftës Hibride: Një Strategji Aktive”, publikuar nga Politico, Crosetto kritikon vendet perëndimore për mosveprim ndaj qasjes agresive të Moskës. Ai nënvizon se sulmet hibride janë të vazhdueshme dhe synojnë qendrat e vendimmarrjes, shërbimet thelbësore dhe strukturën shoqërore të vendeve evropiane.
“Jemi nën sulm dhe sulmet hibride vazhdojnë të bien; është koha për të vepruar,” deklaron ministri italian, duke paralajmëruar se rreziku po rritet çdo ditë. Crosetto e cilëson si “absurde” reagimin e përmbajtur të Perëndimit, duke e krahasuar ndikimin e sulmeve hibride me agresionin ushtarak tradicional.
Sipas tij, Evropa gjendet në një konflikt asimetrik dhe megjithëse ka mjetet për t’u mbrojtur, procedurat e ndërlikuara demokratike dhe mekanizmat e ngadaltë të vendimmarrjes në BE dhe NATO po e pengojnë reagimin efektiv.
Raporti zgjeron kërcënimet përtej Rusisë, duke përfshirë edhe Kinën, Iranin dhe Korenë e Veriut. Sipas Crosetto-s, Kremlini po përdor një kombinim të mjeteve ushtarake dhe jo-ushtarake për të destabilizuar kundërshtarët e tij dhe për të ndikuar në opinionin publik.
Dokumenti përmend një sërë shembujsh të sulmeve të atribuuara Rusisë:
- Sulme kibernetike ndaj kompanive të transportit dhe teknologjisë që mbështesin Ukrainën.
- Zjarrvënie në depot e Polonisë ku ndodhej pajisje për Kievin.
- Përdorimi i migrantëve nga Bjellorusia për destabilizimin e Polonisë.
- Shfaqja e dronëve të panjohur në disa aeroporte evropiane.
- Përpjekjet për të ndikuar zgjedhjet presidenciale në Rumani.
Në këtë kontekst përmendet edhe shpërthimi në linjën hekurudhore Varshavë–Lublin, të cilin kryeministri polak Donald Tusk e quajti “sabotim të paparë”. Autoritetet polake njoftuan se kanë identifikuar dy të dyshuar, shtetas ukrainas, të cilët dyshohet se kishin bashkëpunuar prej kohësh me inteligjencën ruse dhe më pas ishin larguar drejt Bjellorusisë.
Crosetto paralajmëron se sulmet hibride po e gërryejnë gradualisht sigurinë dhe kohezionin e Perëndimit, ndërkohë që Rusia po synon vendet pro-Ukrainës përmes dezinformimit dhe manipulimit të opinionit publik. “Këto mjete ndikojnë në mënyrë indirekte te besimet, qëndrueshmëria, sovraniteti në vendimmarrje dhe stabiliteti politik i shteteve,” thekson ministri italian.
