Mirlinda Karçanaj: Arrestimi i Shefes së AKSHI-t dhe lidhjet me Ramën

Profil i Mirlinda Karçanaj/ Fijet që e lidhin shefen e AKSHI-t me Ramën

Mirlinda Karçanaj, zyrtarja më e lartë grua në shtetin shqiptar e arrestuar deri më tani, ka qenë një personazh me profil të ulët në publik, pavarësisht se është një nga njerëzit më të përfolur të kësaj qeverisjeje. Para arrestimit dhe përveç një konference për shtyp të mbajtur pranë kryeministrit Rama, shumëkush që do të kalonte pranë saj në rrugë zor se do ta njihte. Megjithatë, emri i saj ka qenë i lidhur me skandale të ndryshme, duke filluar nga vjedhja e të dhënave të qytetarëve shqiptarë për t’u përdorur nga patronazhistët e PS në zgjedhje, rënia e sistemit informatik të vendit dhe vjedhja e të dhënave nga hakerë iranianë, si dhe rrjedhja e pagave të qindra mijëra punonjësve.

Pyetja që shtrohej për të gjithë ata që e njihnin, por edhe për të tjerët që nuk e identifikonin dot fytyrën e saj ishte e njëjtë: Si ka mundur kjo grua të qëndrojë kaq gjatë në poste të larta?

Karriera e saj filloi në vitin 2007 si drejtoreshë në Bashkinë e Tiranës, ndërsa në vitin 2013 mori drejtimin e AKSHI-t. Nga viti 2017, ajo ka qenë nën varësinë e drejtpërdrejtë të kryeministrit për të menaxhuar një buxhet të konsiderueshëm. Një trajektore që tregon shumë.

Disa e lidhnin mbijetesën e saj me afërsinë me bashkëshorten e kryeministrit, ndërsa të tjerë me tenderat që i jepej kunatit të Ramës, Armand Frangu. Megjithatë, lidhja e saj daton shumë më herët, që prej kohës kur ajo punonte në Bashkinë e Tiranës.

“Ishte e vetmja që kur Rama ishte i nervozuar i hynte në zyrë dhe arrinte ta qetësonte”, i tregoi një punonjëse e bashkisë për “Lapsi”, duke kujtuar kohën kur Karçanaj punoi si drejtoreshë e Teknologjisë së Informacionit në Bashkinë e Tiranës, nga maji 2007 deri në shtator 2011. Pas largimit të Ramës nga bashkia, edhe ajo u largua për t’iu rikthyer përkohësisht zanatit të saj si lektore në Fakultetin e Ekonomisë. Por ky ndërprerje nuk zgjati shumë.

Me ardhjen e Ramës në pushtet në vitin 2013, ajo ishte një nga zyrtaret e para të rikthyera në administratë. Në katër vitet e ardhshme, fuqia e saj do të zmadhohej ndjeshëm. Në vitin 2017, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) kaloi direkt nën kontrollin e kryeministrit. Ironikisht, kjo lëvizje u bë në emër të luftës kundër korrupsionit, për të mbledhur në një dorë të gjithë tenderat për dixhitalizimin e sistemeve dhe eliminimin e ryshfeteve të vogla në sportelet e shtetit.

Pas këtij momenti, AKSHI do të kryente çdo procedurë prokurimi që lidhej me infrastrukturën IT për çdo njësi të qeverisë, nga blerja e kompjuterëve deri te implementimi dhe mirëmbajtja e sistemeve. Kështu dalëngadalë u krijua ai që më pas Arben Ahmetaj do ta quante “kopshti privat i kryeministrit”.

Duke filluar nga viti 2017, AKSHI, nën drejtimin e Mirlinda Karçanajt dhe varësinë direkte nga Edi Rama, ka menaxhuar mbi gjysmë miliardë euro. Gazetarja Ola Xama ka vënë re një rritje marramendëse të buxhetit të AKSHI-t: nga 5 milionë euro në vitin 2017, ai planifikohet të jetë 189 milionë euro për vitin 2026, një rritje prej 38 herë.

“Fabula është kjo: nuk marrim më 2 mijë lekë të vjetra për të lëshuar certifikatën, por vjedhim miliona euro me tenderat e sistemeve që do të eliminojnë korrupsionin e administratës së ulët! Qytetarët varfërohen më shumë, por ndihen më pak të vjedhur”, ka komentuar ajo.

Kjo filozofia ka çuar në situatën aktuale, ku sipas SPAK, Mirlinda Karçanaj është arrestuar për shkelje të barazisë në tendera dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Dosja tregon si këto qindra miliona euro janë përdorur për tendera të paracaktuar, vendosje të kritereve për fitues të caktuar dhe pengmarrje ndaj atyre që ankoheshin. Në përgjime dëgjohen fraza të tilla si: “Tenderi realisht kushton 2 milionë euro, po do e bëjmë 4”.

Si rezultat i kësaj skeme, sipas prokurorëve, Ergys Agasi dyshohet se ka përfituar rreth 29 milionë euro nga kompani që fituan tendera të AKSHI-t, ndërsa partneri i tij Ermal Beqiri, me kompaninë SOFT & SOLUTION, pati afro 18 milionë euro të ardhura dhe pothuajse 11 milionë euro fitime në vitin 2024. Të tre këta persona rezultojnë të jenë takuar disa herë.

Ndonëse ka tentuar t’i relativizojë këto takime, drejtoresha e AKSHI-t nuk i ka mohuar ato në dëshminë e saj për SPAK. Ajo ka rrëfyer se ka takuar rastësisht një operator ekonomik, Ergys Agasin, në zyrën e një të njohuri, për shkak të një konsulence private. Sipas saj, Ergysi do të bënte një partneritet me një kompani izraelite dhe e kishte pyetur për një zgjidhje teknike. Në këtë ambient ka qenë i pranishëm edhe Ermal Beqiri, i cili rezultoi aty “rastësisht”.

Dosja e SPAK ngre pyetjen se si këta persona gjënin guximin të vidhnin publikisht dhe të përdornin si shantazhues oficerë të lartë policie, apo pushtetin për të kontrolluar aplikimet e tenderave. Ergys Agasi njihet si “eminenca gri” e Edi Ramës në lidhje me krimin. Karçanaj, nga ana tjetër, u mor nga Rama në varësinë e tij personale për të menaxhuar një fond prej 540 milionë euro (nga 2017 deri sot). Profili i drejtoreshës së AKSHI-t, që prej vitit 2011 kur ajo filloi punë në bashkinë e Tiranës, shërben shumë për të kuptuar gjenezën e problemeve aktuale.

Scroll to Top