“`html
Kryemadhi: Meta duket i zbehtë, por mendja e tij ishte e mprehtë si snajper
Ish-deputetja dhe ish-kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, ka deklaruar se ish-Presidenti Ilir Meta duket i zbehtë për shkak se nuk ekspozohet në diell, por mendjen e kishte të mprehtë si snajper.
Gjatë një interviste për programin “Kjo Javë” në News24, Kryemadhi u shpreh se fëmijët dhe motra e Metës e vizitojnë atë një herë në javë dhe i dërgojnë ushqime.
Ajo theksoi se ruan një ndjenjë respekti për ish-presidentin Meta, pasi është babai i fëmijëve të saj.
“Nëse vëzhgon pamjen e jashtme të Ilir Metës, ai duket më i drejtë se zakonisht. Kostumi i tij duhet të kishte qenë 52, jo 56. Për sa i përket mënyrës së të menduarit dhe shprehjes, ai ishte si snajper. Nga imazhi dukej i pagjumë, i zbehtë, nuk dilte në diell, dhe ky është një nga problemet që ka. Kështu më kanë thënë edhe fëmijët, kur ai i kishte thënë ish-gjyqtares Irena Gjoka që gjyqi të bëhej në orën 12, sepse ai kishte orën e ajrosjes së tij. Ndjenja ime e respektit për të si babai i fëmijëve të mi vazhdon. Ky është një gjyq politik, një proces i iniciuar nga Yuri Kim dhe Altin Dumani. Fëmijët e vizitojnë bashkë me motrën e Ilirit një herë në javë, ku i çojnë ushqime. Fëmijët shkojnë me radhë. Është bërë rutinë, ata presin gjithë ditën për ta takuar,” – tha Kryemadhi.
Kryemadhi shtoi se pjesa më e madhe e komenteve për pamjen e tij kishte për qëllim krijimin e presionit psikologjik, ndërsa për sa i përket kushteve të paraburgimit, ajo theksoi se kjo është përgjegjësi e Ministrisë së Drejtësisë. Sipas saj, mediat pranë qeverisë e kanë përdorur këtë çështje edhe si formë presioni.
Kryemadhi përmendi gjithashtu se, lidhur me Ilir Beqajn, ekziston një keqkuptim, pasi ai duhet të ishte paraqitur para gjykatës për çështjen e sterilizimit.
“Pjesa më e madhe e atyre që merreshin me pamjen e tij, synonin të krijonin presion psikologjik, ndërsa përsa i përket kafazit, kjo është punë e Ministrisë së Drejtësisë. Mendoj se mediat e afërta me qeverinë e kanë përdorur edhe si presion. Sa i përket Beqajt, ka një keqkuptim, sepse në gjyqin për sterilizimin ai duhet të ishte paraqitur. Pra, mendoj që çështja e kafazit bie nën ligjin për terrorizmin në Francë, që kishte vrarë 100 njerëz. Por duhet të bëhet edhe një analizë për ata që më akuzojnë dhe më fusin në paraburgim. Këta gjyqtarë do të mbajnë një përgjegjësi, fusin njerëz në burg, shkatërrojnë jetën. Cila është përgjegjësia jote? Ka mbi 9 vendime të Gjykatës së Strasburgut, cila është përgjegjësia jote kur Strasburgu i rrëzon ato vendime?”, – tha ajo.
“`
