Moti i keq, dhjetëra fshatra në Qarkun e Gjirokastrës pa energji elektrike
Dhjetëra fshatra në Qarkun e Gjirokastrës po përballen me mungesën e energjisë elektrike si pasojë e problemeve të shkaktuara nga moti i keq. Anomalitë në sistemin e shpërndarjes së energjisë elektrike kanë prekur zona të shumta, veçanërisht ato malore.
Burime nga OSHEE konfirmojnë se kushtet atmosferike të vëskoira kanë shkaktuar dëme edhe në fiderët që lidhin fshatrat me rrjetin energjetik. Mungesa e energjisë elektrike nuk ka kursyer as qytetin e Gjirokastrës, ku gjatë orëve të mbrëmjes dhe vazhdimisht sot, ka pasur ndërprerje në disa lagje të sipërme.
Situata paraqitet e vështirë, pasi disa zona kanë mbetur pa energji elektrike për më shumë se 12 orë. Kjo përfshin njësitë administrative të:
- Lopësit dhe Kurveleshit në Tepelenë
- Krahësit, Luftinjës dhe Qesaratit në Memaliaj
- Dhe zonat e Zagorisë, Picarit, Lazaratit, Dropullit e Lunxherisë në Gjirokastër
Grupet e OSHEE janë mobilizuar në terren për të riparuar dëmet e shumta të shkaktuara nga shkarkesat atmosferike në sistemin e shpërndarjes.
Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar bllokimin e përkohshëm të rrugës Antigone për shkak të rrëshqitjes së dheut, por situata është normalizuar shpejt. Punohet aktualisht në Lazarat, në zonën e përroit të Sopotit, i cili ka dalë nga shtrati dhe ka bllokuar rrugën. Për momentin, lagjja Lënxatë është e bllokuar dhe po punohet për zhbllokimin e saj.
Një kasolle në lagjen Zinxhira është dëmtuar nga uji i përroit, por nuk ka rrezik për banesat.
