Mungesa e “Avastin”-it në Onkologjik, pezullohet kimioterapia për pacientët me kancer
Gazetari Osman Stafa ka denoncuar mungesën e medikamentit jetik “Avastin” në Spitalin Onkologjik të Tiranës, duke e cilësuar situatën si një dramë të vërtetë për sistemin shëndetësor.
Në një publikim në rrjetet sociale, Stafa ka ndarë dëshminë e një pacienti, sipas të cilit prej dy javësh spitali nuk furnizohet me këtë ilaç, pa të cilin pacientët nuk mund të marrin trajtimin e kimioterapisë.
“Tronditesh kur pacientët me kancer, të dëshpëruar, kërkojnë ‘Avastin’-in nëpër farmaci të Tiranës. Ky është medikament spitalor dhe mund të sigurohet vetëm nga Ministria e Shëndetësisë, por prej dy javësh nuk gjendet. Ndërkohë në tregun e zi flitet se kushton 800 euro. Çmenduri!”, shkruan Stafa.
Gazetari i drejton një apel të fortë kryeministrit Edi Rama dhe ministres së Shëndetësisë, duke i pyetur nëse “kjo është pasaporta europiane që po i premtohet qytetarëve”.
“Të sëmurët me kancer janë lënë në mëshirë të fatit, pa ilaçe, pa shpresë. Luftojnë për të jetuar, ndërsa shteti u mohon edhe këtë të drejtë”, përfundon ai.
