Autoritetet në Myanmar djegin mbi 50 tonë drogë me vlerë 600 milionë dollarë
Autoritetet në Myanmar kanë shkatërruar më shumë se 50 tonë lëndë narkotike të sekuestruara, me një vlerë të përllogaritur prej rreth 600 milionë dollarësh. Ky veprim u zhvillua në një operacion që krijoi re të dendura tymi mbi periferinë e qytetit më të madh të vendit.
Sasia e asgjësuar përfshinte heroinë, opium, ketaminë, metamfetaminë, metamfetaminë kristalore dhe marihuanë. Këto lëndë u dogjën në kuadër të përpjekjeve të autoriteteve për të luftuar trafikun e drogës.
Sipas ekspertëve, situata politike e paqëndrueshme në Myanmar pas grushtit ushtarak të vitit 2021 dhe luftës civile që pasoi, ka favorizuar rritjen e prodhimit dhe trafikimit të narkotikëve. Konflikti mes qeverisë ushtarake, forcave pro-demokracisë dhe grupeve të armatosura etnike ka krijuar kushte që organizatat kriminale të zgjerojnë aktivitetin e tyre.
Në fillim të këtij viti, qeveria ushtarake njoftoi se kishte realizuar sekuestrimin më të madh të drogës në historinë e vendit, pas bastisjeve në 12 laboratorë prodhimi në shtetin verior Shan.
Myanmar vazhdon të konsiderohet një nga prodhuesit kryesorë në botë të heroinës dhe metamfetaminës. Pjesa më e madhe e këtyre lëndëve trafikohet drejt tregjeve të Azisë Lindore dhe Azisë Juglindore.
