Napoli dhe Bolonja përballen në finalen e Superkupës së Italisë, trajneri Konte: Synojmë trofeun, fituesit mbahen mend
Napoli synon të fitojë edhe një trofe të rëndësishëm, Superkupën e Italisë, duke u përballur sot në Riad. Kampionët e Italisë, pasi eleminuan Milanin në gjysmëfinalen e këtij kompeticioni, do të sfidojnë në finalen e madhe Bolonjën, drejtuar nga Vinçenco Italiano. Bolonja, fituese e Kupës së Italisë sezonin e kaluar, arriti në finale duke eleminuar Interin në gjysmëfinale.
Në prag të finales, trajneri i Napolit, Antonio Konte, foli në konferencë për shtyp rreth rëndësisë së trofeut dhe gjendjes së skuadrës.
Duke iu përgjigjur pyetjes për kuptimin e finales së Superkupës Italiane, Mister Konte theksoi: “Është gjithmonë e rëndësishme të jesh në një finale. Por duhet të jemi realistë: në fund, njerëzit mbajnë mend vetëm ekipin që fiton. Finalet luhen për t’u fituar, ndaj do të hyjmë me mentalitetin e duhur për të ngritur trofeun në fund të 90 minutave, pavarësisht se do të jetë tepër e vështirë.”
Lidhur me rëndësinë e ndeshjes për sezonin, Konte shtoi: “Çdo trofe ka peshën e vet. Fitoret japin besim dhe energji, sidomos në një sezon të gjatë dhe me shumë presion. Ky trofe është i rëndësishëm për ne. Do të synojmë ta fitojmë për të kënaqur tifozët tanë.”
Duke komentuar humbjen e mëparshme kundër Bolonjës në kampionat, trajneri nxori si mësim: “Ajo ndeshje na tregoi se nuk mund të gabosh asgjë. Duhet intensitet maksimal dhe përqendrim nga minuta e parë. Do të jetë një ndeshje tërësisht tjetër kjo, pasi luajmë një finale, ndaj nuk parapëlqej të bëj krahasime.”
Për gjendjen fizike dhe mendore të lojtarëve, Konte tha: “Kemi luajtur shumë ndeshje dhe lodhja është e pashmangshme. Por grupi është rikuperuar mirë dhe është gati për finale.”
Duke vënë në dukje ndikimin psikologjik, ai shtoi: “Finalet nuk luhen, fitohen. Duhet karakter dhe personalitet për të dalë fitues.”
Mesazhi i tij për lojtarët para finales ishte i qartë: “Të japin gjithçka në fushë. Sepse në histori mbahen mend vetëm fituesit.”
IGLI ÇUTRA – PANORAMASPORT.AL
