Irani arreston fituesen e Nobelit për Paqe, Narges Mohammadi
Fituesja e Çmimit Nobel për Paqe të vitit 2023 nga Irani, Narges Mohammadi, është arrestuar së bashku me disa aktivistë të tjerë për të drejtat e njeriut. Arrestimi ndodhi gjatë një ceremonie përkujtimore në Mashhad, një qytet në verilindje të Iranit.
Sipas Fondacionit Narges Mohammadi, arrestimi u krye më 11 dhjetor, gjatë një ceremonie përkujtimore të ditës së shtatë të vdekjes së Khosrow Alikordi, një avokat i njohur dhe mbrojtës i të drejtave të njeriut. Një grup i madh mori pjesë në ceremoni, ku ishin të pranishëm aktivistë të shquar, ish të burgosur politikë dhe familjarë që kërkonin drejtësi për viktimat e dhunës shtetërore.
Nëpërmjet një postimi në llogarinë e Mohammadit në platformën X, u bë e ditur se ajo u “arrestua në mënyrë të dhunshme nga agjentët e sigurisë”. Bashkëshorti i saj, Taghi Rahmani, i cili jeton në Francë, konfirmoi se “Narges Mohammadi, Sepideh Gholian dhe disa të tjerë” u arrestuan gjatë këtij tubimi.
Video të cilat qarkulluan në rrjetet sociale treguan pjesëmarrje të madhe, me protestues që brohorisnin parulla kritike ndaj Republikës Islamike. Në një video që u bë shumë virale, Mohammadi dhe aktivistja tjetër Sepideh Gholian u panë duke qëndruar sipër një makine, duke udhëhequr turmën me thirrje si “Rroftë Irani!”. Pamjet e tjera treguan forcat e sigurisë duke u përplasur me pjesëmarrësit, ku oficerë sulmonin protestues ndërsa ata brohorisnin parulla kundër autoriteteve.
Zyrtarët në Mashhad konfirmuan më vonë se disa aktivistë civilë ishin arrestuar. Sipas tyre, ndalimi i Mohammadit ishte i përkohshëm dhe ishte urdhëruar nga zyra e prokurorit për shkak të atyre që ata i përshkruan si “parulla që shkelin normat”. Zyrtarët deklaruan se ata janë vendosur “nën mbrojtje” dhe se arrestimet u kryen “për sigurinë e tyre”.
Raportime të mëparshme treguan se edhe figura të tjera të njohura, përfshirë Nasrin Sotoudeh, Aliyeh Motallebzadeh dhe Hasti Amiri, ishin të pranishme në këtë ceremoni.
Narges Mohammadi, 53 vjeç, ka kaluar pjesën më të madhe të dekadës së fundit në burg. Ajo po vuante një dënim prej 13 vjetësh e nëntë muajsh burgim para se të lirohej për arsye shëndetësore në fillim të dhjetorit të vitit 2024. Pas arrestimit të fundit, raportohet se ajo po merr trajtim mjekësor.
Që nga lirimi i saj në vitin 2024, Mohammadi kishte rifilluar aktivitetin e saj në fushën e të drejtave të njeriut, duke u takuar me aktivistë në të gjithë Iranin dhe duke marrë pjesë në diskutime ndërkombëtare, përfshirë konferenca virtuale me zyrtarë të huaj./REL
