Analiza e REL: NATO shqyrton krijimin e “Rojës së Arktikut” për të zbutur tensionet SHBA-Danimarkë për Groenlandën
Një nga mënyrat e mundshme për t’i ulur tensionet e tanishme politike mes Danimarkës dhe Shteteve të Bashkuara lidhur me të ardhmen e Grenlandës mund të jetë themelimi i një misioni të udhëhequr nga NATO-ja, i quajtur “Roja e Arktikut”. Kjo ide lindi kur ambasadorët e aleancës ushtarake u mblodhën në Bruksel më 8 janar për të biseduar për çështjen e Grenlandës, ishullit danez, pasi Shtëpia e Bardhë shprehu interesim që Shtetet e Bashkuara ta përvetësojnë atë.
NATO-ja veçse themeloi dy misione të ngjashme më 2025: fillimisht “Roja e Baltikut”, si përgjigje ndaj sabotimeve të shumta nënujore në Evropën Veriore, dhe më pas “Roja e Lindjes”, e cila u krijua pak pasi një inkursion i madh me dronë ndodhi në Poloni. Këto dy “roje” janë ende në vazhdim dhe cilësohen si suksese të mëdha, sipas zyrtarëve të NATO-s me të cilët ka folur Radio Evropa e Lirë (REL), në kushte anonimiteti.
Ministri i Mbrojtjes i Belgjikës, Theo Francken, e ka mbështetur publikisht idenë, ndërsa Londra dhe Berlini po tregohen gjithnjë e më të hapur ndaj saj. Në takimin në Bruksel, pati njëzëshmëri se NATO-ja duhet ta rrisë angazhimin në rajonin e Arktikut. Një diplomat evropian u shpreh: “Kanadaja ka vite që bën thirrje për nevojën e rritjes së përpjekjeve në Veriun e Lartë, prandaj nuk mund të themi se Uashingtoni është i pari që e sjell këtë në tryezë”.
Shtatë nga tetë vendet arktike janë anëtare të NATO-s, duke përjashtuar Rusinë. Megjithëse ujërat përreth Grenlandës tani për tani nuk janë të mbushura me anije ruse dhe kineze, kjo mund të ndryshojë pasi akulli i Arktikut po shkrihet me shpejtësi dhe po hapen rrugë të reja detare. Komandanti suprem i aleatëve të NATO-s (SACEUR) dhe gjenerali i lartë amerikan në Evropë, Alexus Grynkewich, theksoi së fundmi në një konferencë ushtarake në Suedi se anijet ruse dhe kineze “nuk janë duke studiuar fokat dhe arinjtë polarë”. Ai shtoi se ato “janë duke kryer studime batimetrike dhe duke u përpjekur të kuptojnë si mund t’i luftojnë kapacitetet e NATO-s mbi dhe nën det. Kjo është diçka që mund të rritet shumë shpejt, dhe ne duhet të jemi të vëmendshëm dhe të gatshëm”.
Në të njëjtën kohë, Grynkewich shtoi se çdo mision i NATO-s në këtë kohë është “i parakohshëm”. Ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius, theksoi gjithashtu se një nismë e tillë merr me muaj kohë. Megjithatë, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, është i angazhuar në bisedime me Uashingtonin për atë se si aleanca mund ta rrisë angazhimin.
Diplomatë evropianë i kanë thënë REL-it se nisma “Roja e Arktikut” mbase do ta hidhte poshtë argumentin se Grenlanda duhet të jetë e Shteteve të Bashkuara dhe se do të dëshmonte se Evropa mund t’i përballojë dy fronte njëkohësisht: Rusinë në lindje dhe Rusinë dhe Kinën në Arktik. Një nga diplomatët tha: “Në shumë aspekte, këtu bëhet fjalë edhe për ndarjen e barrës”. Ai shtoi se një skenar i mundshëm mund të përfshijë mbikëqyrjen ajrore dhe detare nga evropianët, dhe rritjen e pranisë së trupave amerikane në Grenlandë.
Shtetet e Bashkuara i kanë një personel prej 200 vetash në një bazë në Grenlandë, të angazhuar në paralajmërimin e hershëm për raketat balistike dhe mbikëqyrjen hapësinore. Gjatë Luftës së Ftohtë, megjithatë, në ishull kishte deri në 10.000 trupa amerikane të shpërndara në 17 baza. Kjo u bazua në një marrëveshje të vitit 1951 midis Kopenhagës dhe Uashingtonit, e cila ua lejon Shteteve të Bashkuara të kenë mjete ushtarake, përfshirë baza, për aq kohë sa ekziston NATO-ja. Ky traktat mbetet në fuqi dhe nuk vendos kufizime mbi praninë ushtarake amerikane, megjithëse kërkohet pëlqimi i Danimarkës.
Vendimet evropiane do të përqendroheshin në mbrojtjen e hapësirës ajrore dhe rrugëve detare të asaj që njihet si “hendeku GIUK”, që nënkupton zonën e gjerë midis Grenlandës nga njëra anë dhe Irlandës dhe Mbretërisë së Bashkuar nga ana tjetër. Ky hendek është përshkruar si një pikë hyrëse për aktorë si Moska dhe Pekini për të kryer veprime të ndryshme, nga sabotimet nënujore deri te pushtimi i tokave, sipas një burimi.
Vendet që ka gjasa të kontribuojnë janë kryesisht Mbretëria e Bashkuar dhe Franca, por edhe Danimarka, Italia, Norvegjia, Holanda dhe Spanja. Kjo, natyrisht, do të kërkonte disa lloje anijesh, veçanërisht kryqëzorë dhe fregata, por edhe nëndetëse dhe sidomos akullthyese. Së bashku, aleanca ka rreth 40 të tilla, më pak se Rusia.
Pritet që shefat e Mbrojtjes së aleancës ta diskutojnë këtë më në hollësi kur të mblidhen në Bruksel më 21–22 janar, dhe më pas sërish më 12 shkurt. Megjithatë, ka edhe hezitim brenda aleancës nëse misioni “Roja e Arktikut” është i realizueshëm, për shkak të pengesave praktike dhe mungesës së përvojës në veprimin në kushte të ashpra arktike.
Në takimin e ambasadorëve të NATO-s më 8 janar, Danimarka dhe Shtetet e Bashkuara u pajtuan se kjo është çështje dypalëshe. Kjo e nxiti një takim në Uashington më 14 janar mes ministrave të Jashtëm të Danimarkës, Grenlandës dhe Shteteve të Bashkuara. Ministri i Jashtëm i Danimarkës, Lars Løkke Rasmussen, theksoi pas takimit se Shtetet e Bashkuara nuk e kishin ndryshuar qëndrimin e tyre për Grenlandën, por shtoi se do të ngrihet një grup punues i nivelit të lartë me zyrtarë amerikanë dhe danezë për t’i shtjelluar çështjet.
Në Bruksel, kjo shihet si një shenjë se mund të ketë “marrëveshje” që i përshtatet të gjithëve, me një rol të zgjeruar të NATO-s. Shumica e atyre me të cilët ka folur REL-i ende e shohin frikën për një ndërhyrje ushtarake si “të pamundur” dhe besojnë se presidenti amerikan po përdor të njëjtën taktikë të fortë negociuese.
