Minisrtët e mbrojtjes të NATO-s do të takohen për të diskutuar mënyra për të siguruar më shumë mbështetje ushtarake për Ukrainën, pasi furnizimet me armë dhe municione kanë rënë ndjeshëm. Ata do të shqyrtojnë gjithashtu heqjen e kufizimeve për përdorimin e mjeteve ajrore dhe pajisjeve të tjera të NATO-s, në mënyrë që të mbrohet më efektivisht kufiri lindor i aleancës.
Shqetësime të reja janë ngritur për shkak të incidenteve me dronë dhe shkeljeve të hapësirës ajrore nga avionë rusë, duke nxitur dyshime se Presidenti Vladimir Putin po teston gatishmërinë mbrojtëse të NATO-s. Disa zyrtarë e kanë akuzuar Rusinë për zhvillimin e një lufte hibride në Evropë, akuzë që Moska e mohon.
Ndërkohë, lufta në Ukrainë është përqendruar në rrjetin elektrik të vendit përpara dimrit. Rusia synon të dëmtojë furnizimet me energji elektrike, duke lënë civilët pa ngrohje dhe ujë të rrjedhshëm.
Të dhënat më të fundit tregojnë një rënie prej 43% të ndihmës ushtarake perëndimore për Ukrainën në korrik dhe gusht, krahasuar me gjashtë muajt e parë të vitit. Kjo rënie ndodh edhe pse disa vende evropiane kanë filluar të blejnë armë amerikane për Ukrainën. Edhe pse Shtetet e Bashkuara nuk dhurojnë pajisje drejtpërdrejt, disa vende si Danimarka, Holanda, Norvegjia dhe Suedia kanë kontribuar financiarisht. Megjithatë, Italia dhe Spanja po dërgojnë shumë pak në krahasim me partnerët e tjerë të NATO-s.
Një diplomat i lartë i NATO-s ka theksuar se disa vende po mbeten prapa detyrimeve të tyre dhe ka paralajmëruar se në rast të rënies së Ukrainës, shpenzimet e mbrojtjes do të rriten ndjeshëm mbi objektivin aktual të 5% të PBB-së.