Ndahet nga jeta Qemal Disha, një nga themeluesit e tregut të sigurimeve në vend
Ka ndërruar jetë në moshën 74-vjeçare zoti Qemal Disha, një nga pionierët e tregut të sigurimeve në Shqipëri.
Zoti Disha ka drejtuar kompaninë e sigurimeve Sigma që nga themelimi i saj në vitin 1998, deri në pensionimin e tij në prill të vitit 2016.
Më herët, ai shërbeu si Ministër i Financave në periudhën 1990-1991. Pas kësaj, ai u caktua në përgjegjësinë historike për të çuar përpara kompaninë e parë të sigurimeve në Shqipëri, INSIG, dhe për të krijuar bazat e sigurimeve në vend.
Më pas, zoti Disha themeloi jo vetëm kompaninë e parë private të sigurimeve në Shqipëri, Sigma, por edhe Sigma Kosovë, Sigma Maqedoni dhe Sigurimet Dardania në Kosovë.
Pas bashkimit të kompanive Sigma dhe Interalbanian dhe blerjes së tyre nga shoqëria austriake Vienna Insurance Group (VIG), ai u zgjodh Drejtor Ekzekutiv për kompaninë e sapobashkuar Sigma Interalbanian VIG.
Zoti Disha ka qenë një nga rregullatorët kryesorë të kësaj industrie në rajon për më shumë se tre dekada.
Revista Monitor i shpreh ngushëllimet familjes Disha, miqve dhe të gjithë bashkëpunëtorëve të tij.
