Ndërtime pa leje në Butrint, 5 zyrtarë nën akuzë

Lejuan ndërtime pa leje në zonën e mbrojtur të Butrintit, 5 zyrtarë të pandehur

Prokuroria e Sarandës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjykatë pesë persona, përfshirë kryeinspektorin dhe disa inspektorë të Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit (IVMT) në Sarandë. Ata akuzohen për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Ndërtim i paligjshëm”.

Hetimet kanë zbuluar se në zonën e Ksamilit, konkretisht në vendin e njohur si “Kanali i Vivarit”, janë kryer ndërtime pa leje nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit dhe pa kontratë me Agjencinë Kombëtare të Bregdetit. Kanali i Vivarit bën pjesë në Parkun Kombëtar “Butrint” dhe ka statusin Monument Natyre.

Personi që ka ndërtuar pa leje është Resul Piro, dhe mbi të rëndojnë akuzat “Ndërtimi i paligjshëm”, “Pushtimi i tokës”, “Shpërdorimi i tokës” dhe “Dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore”.

Sipas prokurorisë, punonjësit e IVMT nuk kanë ndjekur procedurat ligjore. Ata nuk kanë konstatuar plotësisht punimet e paligjshme dhe nuk kanë shqiptuar masën administrative të parashikuar me ligj.

Në gjykatë janë dërguar shtetasit:

  • R.P, për veprat penale “Ndërtimi i paligjshëm”, “Pushtimi i tokës”, “Shpërdorimi i tokës” dhe “Dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore”.
  • Personi Juridik “Laguna Invest”, për veprën penale “Ndërtimi i Paligjshëm” dhe “Pushtimi i tokës”.
  • Shtetasit E.Z, B.K, V.X, me detyrë inspektorë të IVMT Bashkia Sarandë në kohën e kryerjes së veprës penale, të akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
  • Shtetasi A.M, me detyrë Kryeinspektor i IVMT Bashkia Sarandë, në kohën e kryerjes së veprës penale, i akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Scroll to Top