Nga Vjosa te Drini: mbetjet minerare ndotin lumenjtë e Shqipërisë
Pranë qytetit të Selenicës, në brigjet e Vjosës, dikur banorët bënin plazh. Sot, shtrati i lumit është mbuluar me një shtresë të trashë balte me mbetje bitumi, duke u kthyer në një deponi industriale. Lumi Vjosa, i njohur si “lumi i egër i fundit në Evropë”, u shpall Park Kombëtar dy vite më parë pas një fushate disavjeçare ndërkombëtare. Megjithëse niveli i mbrojtjes ligjore është rritur, rrjedha e tij vazhdon të kërcënohet nga ndotja.
Olsi Nika, nga Eco Albania, shpjegon se “këto minerale janë me ngarkesë të lartë kimikatesh, të cilat përkeqësojnë cilësinë e ujit.” Ai shtoi se “ka substanca që janë të dëmshme për florën dhe faunën, por edhe komponentë që qëndrojnë gjatë dhe nuk zbërthehen.” Këto substanca jo vetëm ndotin ekosistemet ujore, por, nëpërmjet rrjetit ushqimor, arrijnë deri në ushqimin tonë.
Pamjet në terren janë shqetësuese, ndërkohë që institucionet e mbrojtjes së mjedisit deklarojnë se cilësia e ujit është brenda normave. Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM) në një përgjigje me shkrim për BIRN, bazuar në raportin vjetor, vlerëson se ujërat e lumenjve Shkumbin, Drin dhe Vjosë janë nën kufijtë e përcaktuar nga standardet kombëtare dhe nuk paraqesin ndotje, përfshirë nivelet e radioaktivitetit alfa dhe beta.
Habitate në rrezik
Lumenjtë shqiptarë përbëjnë një burim të rëndësishëm natyror, me segmente të egra që ofrojnë habitate të rralla. Megjithatë, ata janë nën presion të vazhdueshëm nga aktivitetet minerare, mbetjet industriale, ndërhyrjet hidroteknike dhe menaxhimi i dobët i mbetjeve.
Pikërisht pranë Fushë-Arrëzit, lumi Fan, që rrjedh i kristaltë, bashkohet me përroin e kuq nga zona minerare, duke ndryshuar ngjyrën e tij për shkak të ndotjes. Ndotja nuk vjen vetëm nga minierat aktive, por edhe nga depozitime të vjetra minerare. Në Kukës, pranë urës së Leshnicës, pluhuri mineral dhe mbetjet ndotin lumin Drin, ndërsa në Librazhd, mbetjet e vjetra minerare buzë Shkumbinit kontribuojnë në ndotjen e lumit pas çdo shiu.
Ekspertët shprehin dyshime mbi metodologjinë e matjes së ndotjes nga institucionet. Olsi Nika shpjegon se AKM, duke iu referuar gjithë gjatësisë së lumenjve, nuk merr parasysh ndotjet pikësore që shndërrohen në të shpërndara në distanca më të mëdha.
Ai thekson se dëmi fillon te komunitetet që jetojnë pranë zonave minerare. “Mbetjet apo kimikatet depozitohen në ujë, nga ku prekin algat, makroinvertebrorët, peshqit, shpendët dhe më pas edhe njerëzit,” tha Nika. Kjo përbën një rrezik të lartë për shëndetin njerëzor, veçanërisht për banorët e zonave afër.
Masa administrative
AKM sqaron se ka marrë masa administrative, duke vendosur gjoba dhe kërkuar pezullim aktiviteti për disa kompani minerare, përfshirë ato në Selenicë dhe Fushë-Arrëz.
Eksperti mjedisor Edi Tuka thekson se “ndotja e mjedisit nuk pret,” duke kërkuar ndërhyrje më të fuqishme dhe të menjëhershme ndaj kompanive ndotëse.
Olsi Nika sugjeron se sanksionet duhet të jenë më të larta për të ndikuar realisht te kompanitë minerare, pasi një gjobë prej një milion lekësh të vjetra nuk është problem për kompani që gjenerojnë miliona euro.
Mungesa e reagimit vendimtar nga institucionet ka prodhuar apati në komunitetet e prekura. Tuka shton se kur komuniteti nuk ka mbështetjen e institucioneve, por i ka ato përballë, humbet forcën për të vazhduar kauzën e mbrojtjes së mjedisit. Në mungesë të mbështetjes shtetërore, banorët priren të pranojnë kompromise të vogla.
Krimi mjedisor
Ndërkohë që autoritetet deklarojnë se monitorimet tregojnë ujëra brenda normave dhe masa administrative janë marrë, realiteti në terren tregon për ndotje të vazhdueshme, me pasoja të vështira për habitatet dhe shëndetin e banorëve.
Mihallaq Qirjo, drejtor ekzekutiv i REC Albania, thekson se numri i veprave penale për krimin mjedisor të ndjekura nga policia është shumë i ulët (vetëm 17% e të gjitha veprave penale që prekin mjedisin). Në prokurori, ky numër bie në 0.4%.
Ai shpjegon se hetimet shpesh pezullohen për mungesë autorësh ose prova, dhe në gjykatë nuk ka raste të dënuar për ndotje të burimeve ujore, për shkak të mungesës së kapaciteteve njerëzore dhe teknike për hetime të thelluara.