Negociatat për Ukrainën: Propozime Evropiane vs Amerikane

Bisedimet për Ukrainën në Gjenevë: Propozimet Evropiane kundrejt atyre Amerikane

Ukraina dhe aleatët e saj evropianë kanë paraqitur kundërpropozimin e tyre në negociatat e Gjenevës, duke theksuar se çdo diskutim me Rusinë për çështje territoriale mund të fillojë vetëm pasi të ketë pushuar plotësisht lufta në vijën aktuale të kontaktit. Ky qëndrim vjen në kundërshtim me propozimin e Shteteve të Bashkuara.

Sipas burimeve të informuara rreth procesit, përgjigjja ndaj planit amerikan me 28 nene përfshin kërkesën e Kievit për garanci të forta sigurie nga SHBA, të ngjashme me Nenin 5 të NATO-s. Gjithashtu, Ukraina kërkon përdorimin e aseteve ruse të “ngrirë” për rindërtimin e vendit dhe kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga lufta. Ukraina dhe vendet evropiane kundërshtojnë kategorikisht kërkesën ruse për dorëzimin e territoreve të papushtuara.

Zyrtarët sqarojnë se Shtetet e Bashkuara do të kompensoheshin për garancitë e forta që do të ofronin, ndërsa asetet ruse do të mbeteshin të bllokuara deri në momentin kur Moska të pranonte të mbulonte kostot e shkatërrimeve. Për më tepër, sanksionet e tjera do të hiqeshin gradualisht dhe Rusia do të rikthehej hap pas hapi në ekonominë ndërkombëtare, nëse do të zbatonte me përpikëri marrëveshjen.

Propozimi fillestar amerikan, sipas burimeve, parashikonte tërheqjen e forcave ukrainase nga disa zona të Donbasit, krijimin e një zone neutrale të demilitarizuar dhe njohjen ndërkombëtare të Rusisë mbi Krimenë, Luhanskun dhe Donetskun. Gjithashtu, plani amerikan propozon kufizimin e ushtrisë ukrainase në 600.000 trupa.

Udhëheqësit evropianë, së bashku me Kanadanë dhe Japoninë, kanë kundërshtuar publikisht idenë e reduktimit të kufijve territorialë ose të forcave të armatosura të Ukrainës. Ukraina ka theksuar se i nevojiten të paktën 800.000 ushtarë në kohë paqeje, duke lënë të kuptohet se kufiri i trupave mund të jetë subjekt negociatash.

Shumica e dispozitave të tjera të propozuara nga SHBA, si kthimi i të gjithë pengjeve, përfshirë fëmijët, konsiderohen të pranueshme nga pala ukrainase. Dokumenti final pritet të përfshijë gjithashtu një program për ribashkimin familjar dhe masa mbështetëse për viktimat e luftës.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka kërkuar që të mos zvogëlohet numri i anëtarëve të forcave të armatosura ukrainase, të mos ketë ndryshime të kufijve të Ukrainës dhe që Komisioni Evropian të ketë rolin qendror në garantimin e paqes dhe menaxhimin e fondeve të rindërtimit. Ajo ka kërkuar gjithashtu kthimin e fëmijëve ukrainas të rrëmbyer nga Rusia.

Scroll to Top