Izrael, Netanyahu i akuzuar për korrupsion; kryeministri kërkon faljen nga presidenti
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i ka paraqitur një kërkesë zyrtare për falje Presidentit izraelit Isaac Herzog, njoftoi të dielën zyra e presidentit izraelit.
“Zyra e Presidentit është në dijeni se kjo është një kërkesë e jashtëzakonshme që mbart me vete implikime të rëndësishme. Pasi të marrë të gjitha opinionet përkatëse, Presidenti do ta shqyrtojë kërkesën me përgjegjësi dhe sinqeritet”, thuhet në deklaratën e zyrës së Herzog.
Kërkesa vjen disa javë pasi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i bëri thirrje autoriteteve të Izraelit të falnin Netanyahun.
Në një deklaratë të filmuar, Netanyahu tha se gjyqi e ka ndarë vendin dhe se një falje do të ndihmonte në rivendosjen e unitetit kombëtar. Ai shtoi gjithashtu se kërkesa që ai të paraqitet në gjykatë tri herë në javë përbën një shpërqendrim që ia vështirëson udhëheqjen e vendit.
Kryeministri Netanyahu po përballet me një proces gjyqësor të gjatë për korrupsion. Ai i mohon akuzat dhe është deklaruar i pafajshëm.
Kërkesa e Netanyahut përbëhej nga dy dokumente: një letër e detajuar e nënshkruar nga avokati i tij dhe një letër e nënshkruar nga vetë Netanyahu.
