Netanyahu: Shpërbërja e Hezbollahut, qëllimi kryesor në negociatat Izrael-Liban
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu theksoi se qëllimi kryesor i negociatave mes Izraelit dhe Libanit është çmontimi i organizatës Hezbollah, e cila konsiderohet aleate e Iranit. Kjo deklaratë vjen një ditë pas negociatave të drejtpërdrejta mes dy vendeve, të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara në Uashington.
Në një mesazh video, Netanyahu u shpreh se ka dy qëllime kryesore në negociatat me Libanin: “Së pari, çmontimi i Hezbollahut dhe së dyti, një paqe e qëndrueshme, një paqe e bazuar në forcë.”
Ai shtoi se ushtria izraelite po vazhdon sulmet kundër Hezbollahut dhe është e gatshme të ndërmarrë veprime edhe në qytetin Bid Jbeil, në Libanin jugor, ndërkohë që presioni për një armëpushim mes Izraelit dhe Libanit po rritet. Kryeministri ka urdhëruar gjithashtu ushtrinë të forcojë më tej zonën e sigurisë në Libanin jugor.
Duke iu referuar Iranit, Netanyahu theksoi se qëllimet e Izraelit dhe SHBA-së “janë të njëjta”. Ai tha se Shtetet e Bashkuara i mbajnë izraelitët të informuar për kontaktet e tyre me Iranin, duke konfirmuar përputhjen e qëllimeve mes dy vendeve.
Netanyahu shpjegoi se synojnë të shohin “materialin e pasuruar [uraniumi] të largohet nga Irani, braktisjen e kapacitetit të pasurimit brenda Iranit dhe, sigurisht, hapjen e Ngushticës së Hormuzit.”
Ai përfundoi duke thënë se në rast dështimi të armëpushimit me Iranin, Izraeli është “i përgatitur për çdo skenar”.
