Nevzat Spaho: i dyshuari kryesor për vrasjen e Mond Mëhallës

Kush është Nevzat Spaho, autori i dyshuar i vrasjes së Mond Mëhallës në Elbasan

Policia ka arrestuar dje një person të dyshuar për përfshirjen në vrasjen e biznesmenit Mond Mëhalla në Elbasan, ngjarje që tronditi qytetin pak ditë më parë.

Arrestimi është kryer në Prrenjas, ku jeton Nevzat Spaho, një person me precedentë penalë. Sipas hetimeve paraprake, ai dyshohet të ketë qenë ekzekutori në rastin e Mëhallës.

Nevzat Spaho rezulton i dënuar më parë nga Gjykata e Elbasanit për akuzat e “Shtrëngimit me anë të kanosjes për marrje pasurie” dhe “Mbajtje pa leje të armëve”. Në vitin 2022, ai ka dhunuar fizikisht dhe kanosur me armë zjarri një shtetas për t’i marrë 3 mijë euro.

Ai akuzohet gjithashtu edhe për tentativë vrasje.

Në vijim të veprimeve operative për dokumentimin e autorësisë dhe rrethanave të vrasjes së datës 30.11.2025, pranë një karburanti në lagjen “Emin Matraxhiu”, specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda ekzekutuan urdhrin e prokurorit për ndalimin e shtetasit N. S., 29 vjeç, banues në Prrenjas.

Ai dyshohet për veprat penale “Vrasje me paramendim, kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Nga verifikimet ka rezultuar se ky shtetas kishte precedentë penalë për tentativë vrasje, armëmbajtje pa leje, shtrëngim me anë të kanosjes/dhunës për dhënie të pasurisë, si dhe për vjedhje.

Hetimet e deritanishme ngrejnë dyshime se ai është përfshirë në ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e datës 30.11.2025, ku u vra me armë zjarri shtetasi M. M. alias E. H..

Scroll to Top